Kompania suedeze “Volvo” i bashkohet realizimit dhe zhvillimit të arsimit të mesëm profesional në Maqedoni
Në Shkollën e Mesme “Vllado Tasevski” në Shkup futet kualifikim i ri arsimor – specialist në mekatronikën e kamionëve dhe automjeteve të rënda, ndërsa mësimdhënia do të realizohet në bashkëpunim me kompaninë suedeze të automobilizmit Volvo Group. Në fillim, kualifikimi do të ofrohet si arsim joformal për të rritur, ndërsa pritet që vitin e ardhshëm të bëhet pjesë e sistemit të arsimit formal profesional, bëri të ditur Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Me këtë rast, ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr. Vesna Janevska, ministrja Suedeze për Çështje Evropiane, Xhesika Rozenkrac dhe disa përfaqësues të Volvo-s, Ambasadës Suedeze dhe organizatës zvicerane për zhvillim Helvetas vizituan sot shkollën, ku u takuan me drejtorinë e shkollës, mësimdhënësit dhe nxënësit.
“Jam e lumtur që Maqedonia po fiton partnerë të rinj në përpjekjet për zhvillimin e vazhdueshëm të arsimit të mesëm profesional, që nuk do të jetë modeste nëse them se është pikë e fortë e sistemit arsimor kombëtar dhe prandaj duhet të vazhdojë të avancohet vazhdimisht. Pres që të ketë interes për kualifikimin e ri, sepse sipas një hulumtimi rajonal, ai është me të vërtetë i kërkuar, dhe falënderoj Mbretërinë e Suedisë dhe Grupin Volvo që do të ndihmojnë në krijimin e kuadrit të kualifikuar dhe të nevojshëm për ekonominë tonë”, tha Janevska.
Theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të arsimit profesional, i cili tërheq mbi 70% të nxënësve gjatë dy gjeneratave të fundit që regjistrohen në vitin e parë të arsimit të mesëm, me fokus në modelin dual.
“Kualifikimi – specialist në mekatronikën e kamionëve dhe automjeteve të rënda – është mundësuar përmes memorandumit të lidhur për bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe organizatës zvicerane të zhvillimit Helvetas, në kuadër të programit rajonal RECONOMY, i financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida)”, thekson MASH-i në komunikatë.

