Flamuri si simbol i vazhdimesise dhe vendzenies reale ne kohe dhe hapesire

Flamuri si simbol i vazhdimesise dhe vendzenies reale ne kohe dhe hapesire

Shkruan: Prof. Dr. Metin İzeti

28 Nëntori është një kthjellim metafizik, një çast i rendesishem ku koha historike perputhet me atë filozofike, dhe ku shpirti kolektiv i një populli e ndjen vetveten si një force të pavarur dhe të përhershme. Pavaresia, e shpallur në atë mbrëmje të vjeshtës së vitit 1912, ishte ishte një “Po!” i zhurmshëm ekzistencial, një deklaratë e qëndrueshme e qenies shqiptare në faqen e dheut. Dhe në qendër të kësaj deklarate, duke u valëvituar si një premtim dhe një kujtim, qëndron metafora e flamurit – jo si një copë pelhure, por si një arketip i vazhdimësisë dhe një pasqyrë e përjetësisë identitare.

Koncepti i pavarësisë është shumë më i thellë se pavarësia politike. Ai është liria e shpirtit të një populli të manifestojë vetveten pa ndërhyrje, të krijojë sipas ligjit të tij të brendshëm, dhe të jetojë në përputhje me etosin e vet themelor. Për shqiptarët, pavaresia e 1912-is ishte kulmi i një procesi të gjatë dialektik. Prandaj, “pavarësia” ishte një vepër e vullnetit, një dëshmi e forcës së brendshme që e bëri të mundur shndërrimin e rezistencës pasive në ekzistencë aktive. Ishte momenti kur populli kaloi nga statusi i një “objekti” në historinë e të tjerëve, në statusin e “subjektit” të historisë së vet.

Në këtë kontekst, flamuri shndërrohet nga një simbol thjesht shtetëror në një metaforë të fuqishme filozofike. Ai nuk është vetëm kuq e zi. Ai është dielli dhe toka; është gjaku i derdhur për liri dhe toka pjellore e etnosit. Por fuqia e tij e vërtetë nuk qëndron në ngjyrat, por në funksionin e tij si urë midis kohëve. Flamuri është një objekt fizik që përfaqëson diçka jo-fizike: vazhdimësinë. Ai është i njëjti që u krijua në Vlorë, që u leviz në Luftën e Dytë Botërore, që u valevit në stadiumet e Kosovës e Maqedonise nën Jugosllavinë e Titos, dhe që valëvitet edhe sot në çdo zemer. Ai është një konstante në një botë të ndryshimeve.

Si metaforë e përjetësisë, flamuri na kujton se identiteti shqiptar nuk është një ndërtim i përkohshëm. Ai është i rrjedhur përmes shekujve, duke përthithur goditjet e fatit, duke u përkulur, por kurrë i thyer. Flamuri i mbijeton të gjitha regjimeve, të gjitha ideologjive dhe të gjitha krizave, sepse ai është më i madh se ato. Ai simbolizon diçka parësore: dëshirën për të qenë. Në filozofinë ekzistenciale, një nga pyetjet thelbësore është: “Pse ekzistojmë?” Flamuri, si simbol kolektiv, është përgjigjja: “Ne ekzistojmë sepse zgjedhim të ekzistojmë, dhe kjo zgjedhje përsëritet me çdo frymë që marrim në këtë tokë dhe me çdo shikim që ngremë drejt tij.”

Metafora e flamurit na lidh edhe me konceptin e “përjetësisë së të kaluares”. Flamuri i Vlorës nuk ishte një zëvendësim, ai ishte një trashëgim i drejtpërdrejtë. Çdo brez e ka marrë atë flamur nga duart e brezit të mëparshëm, duke e përcjellë më tej, duke i shtuar një shtresë tjetër kujtimore dhe shpirtërore. Flamuri, pra, nuk është statik. Ai është një rrymë e gjallë e kujtesës dhe shpresës, një “tani” e përhershme që thith në vetvete të kaluarën dhe projekton të ardhmen. Ai është pika ku kanuni i lashtë i maleve takohet me aspiratat kohes se tashme, duke formuar një identitet unik dhe dinamik.
28 Nëntori dhe flamuri janë të lidhur pazgjidhshmërisht në një simbolizëm që shpjegon thelbin e qëndrueshmërisë shqiptare. Pavarësia nuk është një gjendje e sigurt e fituar njëherë e përgjithmonë; ajo është një vepër e përhershme e rikthjelljes dhe ripohimit të vullnetit tonë kolektiv për liri. Dhe flamuri është koncept që e mban gjallë këtë vullnet. Ai nuk valëvitetvetëm në erë; ai valëvitet në rrjedhën e kohës, duke i kujtuar çdo shqiptari se ne nuk jemi vetëm banorë të një vendi të caktuar historik, por jemi pjesëtarë të një drame të përjetë, ku roli ynë kryesor është të ruajmë dhe të pasurojmë atë ide të pashthurur që quhet Shqipëri. Prandaj, kur e shohim atë flamur, ne nuk shohim thjesht një pelhure, por shohim një pasqyrë të shpirtit tonë të përhershëm – një shpirt që, si drita e kuqe dhe e zezë, nuk harxhohet kurrë, por vetëm transformohet dhe vazhdon të ndriçojë.

MARKETING