Jeton Beqiri dhe Endrit Krasniqi flasin para duelit historik me Dritën e Gjilanit

Jeton Beqiri dhe Endrit Krasniqi flasin para duelit historik me Dritën e Gjilanit

Shkëndija të enjten në Prishtinë zhvillon ndeshjen e katërt në fazën kryesore të UEFA Conference League, derisa për duelin me Dritën para mediave folën trajneri i kuqezinjëve Jeton Beqiri dhe mesfushori Endrit Krasniqi.

Jeton Beqiri: “Do të jetë një ndeshje festive, do të jetë një spektakël i vërtetë si në tribuna ashtu edhe në fushë. Unë kam besim, që si skuadra e Dritës edhe skuadra jonë është e përgatitur për të dhënë maksimumin. Është ndeshje e një rëndësie të veçantë, pasi ne takohemi në kompeticion europian, më konkretisht në Conference League. Besoj që ekipi është i përgatitur për të dhënë maksimumin, duke respektuar në maksimum edhe ekipin e Dritës. Ne shpresojmë që duke dhënë maksimumin dhe duke arritur që të japim performancën më të mirë tonën, shpresojmë të marrim rezultat pozitiv dhe rezultat pozitiv për ne është fitorja”.

Endrit Krasniqi: “Në karrierën time, në shumicën e kohës kam qenë këtu. Kam kaluar një kohë fantastike. Në këtë stadium kam fituar pothuajse të gjitha titujt. Shpresoj që edhe nesër të na përcjell ky fat dhe në fund të dalim triumfues”.

Jeton Beqiri: “Nuk kam asnjë dyshim se as tifozët tanë të jashtëzakonshëm “Ballistët” dhe “Intelektualët”, por edhe të tjerët që do të jenë nesër në ‘Fadil Vokrri” do të krijojnë një atmosferë fantastike, e cila besoj se do të ndikojë në motivimin e futbollistëve. Gjithsesi, do të jetë e rëndësishme që të jetë një ndeshje ferr dhe korrekte dhe pastaj më në fund të fitojë skuadra që do të tregojë më shumë në fushën e lojës, ajo skuadër e cila do të ketë me vete më shumë fatin sportiv apo ajo skuadër që do ti shfrytëzojë më së miri rastet e krijuara”.

Endrit Krasniqi: “Me të thënë të drejtën nuk e kemi diskutuar me askënd. Por e di që edhe ata janë të gëzuar që luajnë përballë neve dhe të shohim se si do të shkoj ndeshja. Shpresoj se në fund të ndeshjes fati të jetë në anën tonë”.

Jeton Beqiri: “Jemi në një fazë të kampionatit, ku disa prej futbollistëve kanë shfaqur shqetësime, por në këto tre-katër ditët e fundit të gjithë futbollistët janë stërvitur me skuadrën. Portieri jonë është stërvitur edhe para ndeshjes së fundit, por ne vendosëm që mos të rrezikojmë, pasi bisedohet për një lloj dëmtimi që mund ta mbyll edhe kampionatin deri në fund. Të gjithë futbollistët janë gati dhe janë të motivuar dhe shpresojë që ata të cilët do të kenë mundësi nesër të dalin në fushën e lojës, të japin maksimumin dhe të mundohen të bëjnë një paraqitje sa më të mirë të mundshme”.

Endrit Krasniqi: “Unë jam i lumtur që edhe Drita edhe ne jemi në këtë kompeticion, sepse është në një nga ligat më të forta. Unë tani për tani jam te Shkëndija dhe dëshira dhe shpresa ime është që të fitojë nesër ndeshjen”.

Jeton Beqiri: “Sipas mendimit tim, Drita është një skuadër shumë e kompletuar dhe nuk bazohet në individualitete, por si forcë e ka kolektivin, luajnë të gjithë së bashku. Ne e kemi analizuar normalisht, sikurse na kanë analizuar ata neve. Jemi shumë afër, ndjekim kampionatin e Kosovës edhe ata ndjekin kampionatin tonë. Trajneri është nga Maqedonia e Veriut dhe besoj që ka shumë pak fshehtësi taktike në këtë ndeshje. Unë besoj se do të jetë një ndeshje e hapur, një ndeshje spektakli dhe besoj në kualitetin e ekipit tonë dhe në kualitetin e ekipit të Dritës. Besoj që do të kemi një ndeshje që do të ngritet më lartë se kampionati ku luajmë ne apo kampionati i Kosovës”.

Jeton Beqiri: “Mendoj që ndeshjet e kampionatit dhe ndeshjet në Kupat e Europës dallojnë. Patjetër që do të japim maksimumin, patjetër që çdo futbollist dëshiron të bëjë një paraqitje sa më të mirë të mundshme nesër dhe unë kam shumë besim se do të shihni një skuadër më ndryshe dhe shumë më të motivuar, krahasuar me kampionatin, pasi edhe atmosfera që do të krijohet rreth ndeshjes së nesërme, besoj që do të ndikojë të jetë një ndeshje mjaftë cilësore. Gjithsesi secila skuadër do të mundohet që të fitojë”.

Jeton Beqiri: “Për shkak se ne humbëm dy pikë vetëm në sekondat e fundit, por për të qenë shumë korrekt, ne fituam dy pikë kundër Shelbourne po ashtu në minutat apo sekondat e fundit. Mendoj që në futboll, fati ndonjëherë të jep, ndonjëherë të merr, ku ka edhe momente të dhimbshme. Por, ne duhet ta pranojmë realitetin, sikur ne dhe ekipi i Dritës nuk qëndrojmë keq sa i përket aspektit të pikëve. Kemi edhe tre ndeshje dhe besoj që të dyja skuadrat gjatë këtyre tre ndeshjeve do të grumbullojnë aq pikë që mjaftojnë të dyja së bashku për tu kualifikuar në fazën tjetër. Ne përveç rivalitetit në fushë, ne kemi edhe një lloj respekti të jashtëzakonshëm në nivel klubi, në nivel stafi tekniki, në nivel futbollistësh. Dua të shpreh një falenderim për të gjithë futbollin e Kosovës që vite me radhë kanë punuar që ne të kemi mundësi nesër të shijojmë një lloj spektakli, siç nuk e kishim parashikuar. Personat që i kanë dhënë shumë futbollit këtu, duhet të respektohen, të jemi mirënjohës, duke nisur nga donatorët, presidentët, trajnerët e futbollistët, pasi e dimë se kanë sakrifikuar shumë dhe mundi i tyre ka qenë i jashtëzakonshëm për të arritur dhe për të shijuar një spektakël të tillë nesër mbrëma”.

Kuqezinjtë sonte me seancën e fundit stërvitore mbyllën përgatitjet për ndeshjen e raundit të katërt të UEFA Conference League, kur përballë Dritës së Gjilanit në “Fadil Vokrri” të Prishtinës kërkojmë triumfin e dytë në këtë garë. Ndeshja Drita-Shkëndija luhet të enjten me fillim në orën 21:00.

MARKETING