Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) u bën thirrje të gjithë votuesve që kanë nevojë të përditësojnë apo korrigjojnë të dhënat e tyre, që të paraqesin kërkesat përkatëse në mënyrë elektronike ose fizikisht në zyrat rajonale të KSHZ-së. Po ashtu, qytetarët ftohen të raportojnë edhe personat e afërt të familjes që kanë ndërruar jetë, me qëllim që emrat e tyre të hiqen nga lista zgjedhore.

Nënkryetari i KSHZ-së, Abdush Demiri, bëri të ditur se njësitë dhe zyrat rajonale do të punojnë çdo ditë nga ora 08:00 deri në 20:00, ndërsa më 10 dhjetor 2025, ditën e fundit të shqyrtimit publik, programi do të zgjatet deri në ora 24:00. Gjatë kësaj periudhe, qytetarët mund të paraqesin kërkesa për regjistrim, plotësim ose fshirje të të dhënave të paraqitura në listën zgjedhore.

Kujtojmë se zgjedhjet e përsëritura në këto komuna, ku nuk u arrit cenzusi në raundin e kaluar, janë dekretuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, dhe do të mbahen më 11 janar.