Vini Jr ka informuar Perezin: Nuk do ta rinovojë kontratën shkaku i Xabi Alonsos
E ardhmja e Vinicius Junior te Real Madridi ka hyrë në një fazë të ndërlikuar, mes raportimeve se marrëdhëniet e tij me trajnerin Xabi Alonso po degradon me shpejtësi.
Tensionet e fundit kanë ndezur një skenar të papritur në “Santiago Bernabeu”, duke vënë në dyshim vazhdimësinë e njërës prej figurave më të rëndësishme të skuadrës.
Sipas Mario Cortegana-s nga The Athletic, marrëdhënia mes Vinicius Junior dhe trajnerit të ri të Real Madridit, Xabi Alonso, është përkeqësuar ndjeshëm gjatë javëve të fundit.
Tensionet kanë arritur në atë pikë sa sulmuesi brazilian thuhet se ka zhvilluar një takim privat me presidentin e klubit, Florentino Perez, muajin e kaluar. Në këtë takim, Vinicius ka bërë të ditur se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën e tij aktuale nëse Alonso vazhdon të udhëheqë skuadrën.
Sipas raportimit, Vinicius i ka shpjeguar Perezit se, në kushtet aktuale, një rinovim kontrate “nuk do të ishte gjëja më e mirë për karrierën e tij”.
Kontrata e brazilianit skadon në korrik 2027, që do të thotë se Real Madrid do të ketë vetëm merkaton e verës së ardhshme për të vendosur nëse do ta shesë lojtarin apo do të rrezikojë ta humbasë të lirë në të ardhmen.
Klubi madrilen nuk ka marrë ende një vendim final. Sipas të njëjtave burime, drejtuesit e Real Madridit do ta vlerësojnë situatën në fund të sezonit, së bashku me të ardhmen e Rodrygo.

