Gashi: Gjuha shqipe është një element i pazëvendësueshëm i kohezionit tonë shoqëror

Gashi: Gjuha shqipe është një element i pazëvendësueshëm i kohezionit tonë shoqëror

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka uruar shqiptarët me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke vlerësuar rëndësinë e jashtëzakonshme historike dhe kulturore të kësaj feste.

Në mesazhin e tij, Gashi theksoi se vendosja e alfabetit të unifikuar në vitin 1908 përbën një moment kyç në konsolidimin e gjuhës shqipe si simbol i bashkimit dhe identitetit kombëtar.

“Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, angazhohem që gjuha shqipe të trajtohet me barazi, dinjitet dhe respekt. Për mua, kjo ditë ka një domethënie të veçantë, duke qenë një thelb i identitetit tim”, u shpreh Gashi.

Ai uroi të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen, duke e cilësuar Ditën e Alfabetit si një festë të rëndësishme për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës e kulturës shqiptare.

Më poshtë, Gashi publikoi edhe mesazhin e tij të plotë:

“Në emrin tim personal dhe në emër të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, përcjell urimet më të përzemërta për 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe.

Kjo ditë shënon një nga momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, kur u vendosën themelet e alfabetit të unifikuar, duke forcuar gjuhën shqipe si simbol i bashkimit dhe identitetit tonë.

Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, angazhohem që gjuha shqipe të trajtohet me baraza, dinjitet dhe respekt. Për mua, kjo ditë ka një domethënie të veçantë, duke qenë një thelb i identitetit tim.

Urime shqiptarëve kudo që ndodhen 22 Nëntorin – Ditën e Alfabetit!”

MARKETING