Kurti mirëpret mbajtjen e zgjedhjeve më 28 dhjetor: Datë e përshtatshme
Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar datën 28 dhjetor për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
Pas zyrtarizimit të datës ka ardhur reagimi nga kreu i LVV-së, Albin Kurti, i cili ka thënë se e mirëpret vendimin për të mbajtur zgjedhjet në këtë datë.
Sipas Kurtit, kjo datë është më e përshtatshmja për organizimin e procesit zgjedhor.
Postimi i plotë i Kurtit:
“Dita e zgjedhjeve është festë e demokracisë. Ajo bëhet edhe më madhështore kur ka pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve tanë me të drejtë vote. Në të njëjtën kohë, duhet të sigurohemi që institucionet shtetërore kanë kohën e mjaftueshme për të bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që procesi zgjedhor të jetë i rregullt, i drejtë dhe demokratik. Andaj, ne e mirëpresim caktimin e datës 28 dhjetor nga Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, si datën më të përshtatshme për zgjedhjet e parakohshme që po na presin.”

