Shkëndija në çerekfinale, eliminon Tikveshin nga Kupa e Maqedonisë
Shkëndija e Tetovës është kualifikuar në çerekfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, pasi eliminoi Tikveshin nga kjo garë me rezultat 2:0 në duelin e luajtur mesditën e kësaj të mërkure në Tetovë.
Skuadra e Jeton Beqirit shënoi nga një gol në të dyjat pjesët. Fillimisht Al Hasan realizoi në minutën e 44-të, teksa ai që vulosi triumfin dhe kualifikimin ishte Mazari që shënoi në shtesat për rezultat përfundimtar 2:0.
Ky ishte dueli i fundit i kësaj faze dhe që ishte i shtyrë për shkak të angazhimeve të Shkëndijës në Konferencë Ligë.
Së bashku me kuqezinjtë tetovar në çerekfinale janë kualifikuar edhe Struga Trim Lum, Vardari, Rabotniçki, Sileksi, Shkëndija e Haraçinës, Ohridi dh Detoniti. Ndeshjet e kësaj faze të Kupës do të luhen vitin e ardhshëm.

