(VIDEO) Ministri i Jashtëm gjerman porositi: Avanconi raportet me Bullgarinë
Me vizitën e tij në Shkup mbrëmjen e së martës, ministri i Jashtëm gjerman Johan Vadeful ka përmbyllur turneun e tij në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke dhënë një porosi të qartë se, Gjermania është e gatshme të ndihmojë, por reformat janë kyçe. Sa i përket Maqedonisë, pas takimit që realizoi me ministrin e Jashtëm të vendit, Timço Mucunski dhe kryeministrin Hristijan Mickoski, diplomati gjerman ka ritheksuar qëndrimin e BE-së që avancimi i raporteve me Bullgarinë është i domosdoshëm për rrugën eurintegruese të vendit. Në një post të publikuar në rrjete sociale, ai tha se për këtë temë ka biseduar me Mucunskin por edhe me kryeministrin Mickoski.
Johan Vadeful, ministër i Jashtëm i Gjermanisë
“Këtu në Shkup, perspektiva e anëtarësimit të ardhshëm është një temë e rëndësishme. Gjermania e mbështet Maqedoninë e Veriut në këtë rrugë, jo çdoherë të thjeshtë. Maqedonia e Veriut veç më ka arritur shumë. Tash është posaçërisht i rëndësishëm përparimi në raportet me Bullgarinë që të mund të ketë suksese të mëtejme në procesin qasës”.
Edhe nga Ministria e Jashtme e vendit kanë thënë se procesi eurointegrues i Maqedonisë së Veriut ka qenë një ndër temat kryesore të takimit, përkatësisht, procesi i reformave, si dhe mbështetja e Gjermanisë për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ministria e Jashtme
“Të dy ministrat përshëndetën dialogun intensiv politik të nivelit të lartë që të dy vendet kanë zhvilluar për më shumë se tre dekada. Ministri Mucunski falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme dhe të qartë gjermane për procesin e integrimit evropian të vendit tonë. Ai e informoi Ministrin Vadeful për aktivitetet aktuale që lidhen me axhendën evropiane, proceset reformuese, bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, duke konfirmuar njëkohësisht angazhimin e fortë të Qeverisë për zbatimin e reformave dhe përparimin në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”.
Ndërkaq, Mickoski ka shkruar se në takim është biseduar për sfidat aktuale rajonale dhe mundësitë për iniciativa të përbashkëta.
Teuta Buçi /SHENJA/

