(VIDEO) Për 16-të ditë 10 210 shkelje trafiku, 55 të arrestuar

(VIDEO) Për 16-të ditë 10 210 shkelje trafiku, 55 të arrestuar

Me vetëm një muaj të mbetur deri në mbylljen e vitit, nëntori po rezulton një prej muajve më të vështirë për shoferët në vend.  10.210 shkelje të trafikut janë regjistruar vetëm për 16  ditë, duke sinjalizuar një rritje alarmante të papërgjegjshmërisë në qarkullim. Ndërkaq, siç njoftojnë  nga Mistria e Punëve të Brendshme, policia ka ashpërsuar kontrollet, ndërsa 55 shoferë  janë privuar nga liria, pasi ata janë të akuzuar për drejtim të pakujdesshëm sipas nenit 297/a të Kodit Penal.

Nga atje njoftojnë se 2.983 shkelje i përkasin shoferëve që nuk e kanë respektuar shpejtësinë e lejuar.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“55 persona janë privuar nga liria për drejtim të pakujdesshëm të mjetit motorik, nga të cilët 37 për drejtim nën ndikimin e alkoolit, një për drejtim në drejtim të ndaluar, 11 për drejtim me shpejtësi më të madhe se e lejuara në vendbanim, gjashtë për drejtim me shpejtësi më të madhe se e lejuara jashtë vendbanimit”.

Për më tepër, sipas shqyrtimit statistikor të aktiviteteve policore, gjatë muajit nëntor deri tani janë regjistruar 2.717 shkelje për parkim të parregullt, 1.039 masa janë shqiptuar për shoferë që kanë drejtuar makinën  pa patentë shoferi, si dhe 300 sanksione për drejtim nën ndikimin e alkoolit.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

“Sipas dispozitave të Ligjit për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor, janë sanksionuar 42 shoferë të motoçikletave për mosmbajtje të helmetës mbrojtëse, si dhe janë sanksionuar 282 këmbësorë dhe katër drejtues të trotineteve elektrikë”.

Po ashtu, janë sanksionuar  edhe 546 pjesëmarrës në trafik që nuk kanë përdorur rripin e sigurimit. Sipas Ligjit për Automjete, nga MPB sqarojnë se 252 automjete janë mënjanuar nga trafiku për shkak se ishin të pa regjistruara, dhe 55 për shkak të paregullësive teknike. Ata informojnë se janë sanksionuar gjithashtu 52 shoferë për mosplotësimin e kushteve të përshkruara në lidhje me errësimin e xhamave të mjeteve (folitë).

Samir Mustafa /SHENJA/

MARKETING