Trump thotë se Irani mund t’i shtojë veprimet para zgjedhjeve afatmesme, mendon për riemërtimin e Ngushticës së Hormuzit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se Irani mund t’i shtojë veprimet e tij para zgjedhjeve afatmesme në SHBA, të planifikuara për më 3 nëntor, të cilat janë vetëm disa javë larg, transmeton Anadolu.
Sipas presidentit amerikan, Teherani beson se një gjë e tillë do t’i shkaktonte dëme SHBA-së dhe gjitashtu pretendoi se Washingtoni mund ta përfundojë përballjen me Iranin brenda një kohe të shkurtër.
“Ata ndoshta do të bëjnë diçka më shumë para zgjedhjeve, duke menduar se kjo do të na dëmtojë”, tha Trump gjatë një fjalimi në shtetin jugor të Tenesit, një bastion tradicional i Partisë Republikane, ku ai udhëtoi për të mbajtur një tubim elektoral.
“Por ne mund ta përfundojmë shumë shpejt”, shtoi ai, duke pretenduar se kishte treguar përmbajtje ndaj Iranit, pavarësisht asaj që e cilësoi si shkatërrim të marinës iraniane.
“Ata nuk e dinë se sa i sjellshëm kam qenë me ta”, tha ai, duke pretenduar se që nga fundi i shkurtit, kur nisi lufta aktuale, janë fundosur 159 anije iraniane.
Trump foli gjithashtu për mundësinë e riemërtimit të Ngushticës së Hormuzit, një pikë e rëndësishme strategjike, duke u shprehur: “Po mendojmë ta riemërtojmë Ngushticën e Trumpit”.
Më herët, Trump kishte deklaruar se lufta me Iranin mund të përfundonte menjëherë pas zgjedhjeve të 3 nëntorit për Kongresin amerikan, në të cilat lufta aktuale është shndërruar në një nga çështjet kryesore.
Presidenti nuk është kandidat në këto zgjedhje, por po bën fushatë në mbështetje të republikanëve të tjerë, duke synuar t’i ndihmojë ata të ruajnë kontrollin e njërës ose të të dyja dhomave të Kongresit.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt, duke nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme me raketa dhe dronë në rajon, si dhe duke çuar në mbylljen faktike të Ngushticës së Hormuzit.
Lufta ka vazhduar për më shumë se shtatë muaj, duke shkaktuar rritje të çmimeve globale të energjisë, ndërsa transporti tregtar i naftës përmes kësaj rruge strategjike ujore është ndërprerë praktikisht.
Në muajin qershor, SHBA-ja dhe Irani nënshkruan një marrëveshje kornizë, pas përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit dhe Katarit, me synimin për t’i dhënë fund armiqësive dhe për të hapur rrugën për negociata.
Megjithatë, zbatimi i marrëveshjes ka ngecur për shkak të mosmarrëveshjeve, përfshirë çështjet e sigurisë dhe lundrimit në Ngushticën e Hormuzit.

