Kosovë, KQZ pranon sqarim lidhur me gabimin në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë

Kosovë, KQZ pranon sqarim lidhur me gabimin në disa fletëvotime në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme ka pranuar sqarim zyrtar lidhur me gabimin e evidentuar në disa fletëvotime të zgjedhjeve lokale të 9 nëntorit 2025 në Mitrovicë të Jugut dhe Gjakovë.

Në njoftim thuhet se pas pranimit të fotografive që tregonin gabimin në fletëvotime, kompania e kontraktuar ka zhvilluar një hetim të plotë të procesit të prodhimit dhe përgatitjes së të dhënave.

KQZ-ja njofton se hetimi ka zbuluar se problemi ka ndodhur vetëm në një nga katër kokat e printerit që shtyp numrin e vendvotimit, përderisa sistemi i kontrollit monitoron vetëm numrin serik (QR kodin), ndaj gabimi nuk është detektuar gjatë shtypjes.

“CETIS thekson se merr plotësisht përgjegjësinë për këtë gabim teknik, duke nënvizuar se fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që e bëjnë të pamundur falsifikimin ose kopjimin e tyre. Kompania shpreh keqardhje të thellë për incidentin dhe konfirmon se mbetet në dispozicion të plotë të KQZ-së për çdo ndihmë në hetimin dhe verifikimin e fletëvotimeve për të sqaruar rrethanat e rastit”, thuhet në sqarimin që kompania ia ka dërguar KQZ-së.

KQZ-ja sqaron se për këtë përgjigje është njoftuar Prokuroria e Shtetit.

Të hënën u ngritën shqetësime për keqpërdorim të votave në qytetin e Mitrovicës.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar ndërprerjen e numërimit të fletëvotimeve në Qendrën Komunale në Komunën e Mitrovicës pas dyshimeve për parregullsi.

Vëzhguesit e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe ata të Lidhjes Demokratike (LDK) në Qendrën Komunale të Numërimit e kanë bojkotuar procesin.

Gjatë ditës së sotme, nga partia që ishte në garë gjatë balotazhit në këtë komunë, PDK-ja, kanë deklaruar se në Komunën e Mitrovicës duhet të ketë rivotim. Sipas PDK-së, procesi zgjedhor në Mitrovicë është shoqëruar me presion të madh, me ndërhyrje në proces, me përdorim të institucioneve të shtetit dhe ndikim në votues.

Në Komunën e Mitrovicës së Jugut fitoi kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci.

MARKETING