(VIDEO) Kryetarja e KE-së arriti në Shkup, takon krerët e shtetit

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen me vizitën në Shkup, do të përmbyllë sot turneun e saj në Ballkanin Perëndimor. Në kuadër të vizitës së saj, ajo do të takojë kreun shtetëror. Fillimisht do të pritet nga kryeministri Hristijan Mickoski në Qeveri, ku do të zhvillohet një takim tet-a-tet e më pas edhe një takim bilateral. Qëllimi i vizitës së zyrtares evropiane, siç kanë theksuar paraprakisht nga delegacioni i BE-së në Shkup, është përsëritja e mbështetjes së BE-së për rrugën e anëtarësimit të rajonit në BE dhe qasjen graduale në Tregun e Përbashkët, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024-2027. Ndërkaq, kryeministri Mickoski dje duke komentuar këtë vizitës, tha se pret riafirmim të pozicioneve se, qëllimi strategjik i vendit është anëtarësimi i plotë në BE.
Hristijan Mickoski, kryeministër i RMV-së
“Pres t’i riafirmojë pozicionet se qëllimi ynë strategjik mbetet anëtarësimi i plotë në BE. Është sikur gjatë 25 viteve të fundit kemi humbur ngadalë fytyrën tonë, duke ecur në atë rrugë, sikur të ketë mbetur pak nga ai dinjitet dhe nga ajo fytyrë duke ecur drejt asaj rruge. Shpresoj që të ketë një rezultat nga BE, në mënyrë që të paktën të ruajmë pak fytyrën tonë para se të hyjmë, sepse me fytyrën dhe dinjitetin e humbur nuk do të bëjmë asnjë punë as për ta, dhe kjo Qeveri nuk ka ndërmend të humbasë më shumë nga dinjiteti dhe fytyrln e saj”.
Ndërkaq, Von der Leyen sot vizitoi Beogradin dhe Prishtinën. Gjatë konferencës të përbashkët me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, tha se qëndrimi i Bashkimit Evropian nënkupton liri, jo shtypje, përfshirë të drejtën për tubim paqësor. Ajo po ashtu ka kërkuar nga Serbia hapa konkretë në rrugën drejt BE-së dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.
Kujtojmë se, zyrtarja evropian filloi turneun e saj në Tiranë, ku mori pjesë në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, ku u nënshkruan disa marrëveshje investimesh. Ajo tha se, rajoni mund të marrë deri në 4 miliardë euro investime.
Teuta Buçi /SHENJA/