(VIDEO) Filipçe ngre alarmin: Deri në fund të vitit buxhetit do t’i mungojnë 1.4 miliard euro

Situata buxhetore është alarmante dhe deri në fund të vitit 2025 sipas të dhënave statistikore buxhetit të RMV-së do ti mungojnë 1.4 miliard euro. Kështu ka deklaruar kreu I LSDM-së Venko Filipçe në konferencën e sotme për media. Filipçe ka pyetur qeverinë se çfarë planifikon të bëjë dhe si do t’i mbulojë këto 1.4 miliardë euro.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Jemi vetëm 75 ditë larg fundit të vitit 2025 dhe korniza buxhetore e cila përcaktohet nga të ardhurat dhe shpenzimet në buxhet, tregon një pamje shqetësuese. Gjegjësisht, deri më sot, të ardhurat janë realizuar në 70.78 % ose 256.5 miliardë denarë, njëkohësisht shpenzimet janë në nivelin e 72.82 %, ose pothuajse 294 miliardë denarë. Kjo do të thotë se me këtë ritëm, i cili është i pritshëm, në fund të vitit do të ketë mungesë prej rreth 1.4 miliardë eurosh për të mbuluar të gjitha shpenzimet. Ky është një boshllëk i madh buxhetor”.
Filipçe tha se të gjitha këto para do të duhet të mbulohen me huamarrje, me ngarkesa të reja mbi bizneset dhe qytetarët ose me shkurtime në shërbimet më të rëndësishme publike. Ai po ashtu ka theksuar se sinjale shqetësuese kanë ardhur edhe nga institucionet ndërkombëtare.
VENKO FILIPÇE, KRYETAR I LSDM-SË
“Banka Botërore thekson hapur mbledhjen e dobët të të ardhurave, rritjen e kostove të interesit dhe rritjen e borxhit publik. Ajo bën thirrje qartë për konsolidim fiskal – me fjalë të tjera – të ndalojë shpenzimet joproduktive dhe kreditë e pasigurta. Por qeveria vazhdon në të njëjtën trajektore. Nëse duam vërtet ta kuptojmë situatën, duhet të shohim pamjen e borxhit publik. Në 14 muajt e fundit, shteti ka marrë hua mbi 1.86 miliardë euro, një miliard nga Hungaria, 836 milionë përmes ankandeve të letrave me vlerë vendase”.
Sipas Filipçes qeveria po manipulon shifrat zyrtare, duke pretenduar se borxhi është 61.7%. Ai paralajmëroi edhe një “borxh të fshehur” shtesë prej afërsisht 700 milionë eurosh, që i referohet detyrimeve të papaguara, të cilat kërcënojnë likuiditetin e kompanive vendase.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/