VLEN: Me një zë për Fisnik Melën, frymën e re që po ringjall Dibrën!

Komunikata e VLEN:
Koalicioni VLEN mbajti sonte tubimin madhështor në Dibër, ku qytetarët, në numër të madh dhe me entuziazëm të jashtëzakonshëm, shpallën mbështetjen e tyre të plotë për kandidatin për kryetar komune, Fisnik Melën.
Dibranët u bashkuan me Një Zë, për t’i dhënë fund dekadave të neglizhencës, mashtrimeve dhe dështimeve që e lanë qytetin në gjendje mjeruese. Dibrën e Elez Isufit e lanë pa infrastrukturë, me deponi të egra, pa ujë të pijshëm, pa kanalizim, pa çerdhe, pa shkolla dhe pa shërbime bazike për qytetarët. Por kjo gjendje po ndryshon sepse Dibra po zgjohet!
VLEN me Fisnik Melën del ballëlartë dhe me plot besim se Dibrës do t’i kthehet shkëlqimi dhe nami që e meriton.
Me Fisnik Melën dhe bartësin e listës Afrim Krkutin, Dibra do të bëhet qytet i zhvillimit duke përfshirë planin detajor urbanistik, hapjen e terminalit doganor dhe pikës doganore “One Stop Shop” në Bllatë, rikonstruktimin e sheshit të qytetit, ujësjellësin e ri për furnizim pa ndërprerje me ujë të pijshëm, si dhe një sërë projektesh për pastrimin, ndriçimin dhe gjallërimin e Dibrës.
Më 19 tetor, Dibra do të flasë me Një Zë për Fisnik Melën dhe Afrim Krkutin!