(VIDEO) Paralajmërohet rikonstruimi i plotë i stacionit hekurudhorë

(VIDEO) Paralajmërohet rikonstruimi i plotë i stacionit hekurudhorë

Pas 44 vitesh paralajëmrohet rikonstruimi i plotë i Stacionit Hekurudhor. Këtij objekti të rëndësishëm premtohet se do t’i jepet jetë me projektin e ri, por duke e ruajtur pamjen e tij autentike. Projekti që pritet të realizohet nga Hekurudhat e Maqedonisë-Infrastruktura dhe Fakultetet e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, pritet të finalizohet brenda 5 deri 6 viteve. Qëllimi sipas drejtorit të Hekurudhave, Sinisha Ivanovski është që paralelisht me Stacionin Hekurudhor të lëshohen në përdorim edhe hekurudha e  shpejtë e Korridorit 10 dhe linja hekurudhore deri tek aeroporti i Shkupit.

 SINISHA IVANOVSKI, DREJTOR I NP “HEKURUDHAT E MAQEDONISË-INFRASTRUKTURA”

“Nëse vlerësojmë se përafërsisht nga fillimi i ndërtimit të Hekurudhës së shpejtë do të duhen rreth 5 vjet deri në fund, supozojmë se rreth dy vite do të duhen për punë ndërtimore për të gjithë rikonstruimin e këtij stacioni. Nëse përfundojmë me projektin për 1 vit nga sot ose 1 vit e gjysëm, pas kësaj për financimin do të shkohet ose me para të buxhetit shtetëror, opcioni i dytë është të bëhet huamarrje nga BERZH dhe Banka Botërore, por nuk e përjashtoj mundësinë që të hyj në partneritet strategjik me Britaninë e Madhe”.

Aneta Hristova Popovska, dekane e Fakultetit të Arkitekturës u shpre se fillimisht do të bëhet dokumentimi dhe analiza e dokumentacionit origjinal të Stacionit Hekurudhor, dhe ndërtimi do të bëhet në faza.

ANETA HRISTOVA POPOVSKA, DEKANE E FAKULTETIT TË ARKITEKTURËS

“Do të ketë ndërtim me përmbajtje që do ta bëjnë ndërtesën një qendër sociale dhe një platformë të hapur për jetën kulturore dhe publike të banorëve të Shkupit, të cilët nuk do të vijnë këtu vetëm për trafikun hekurudhor, por edhe për jetën kulturore. Në këtë kuptim, ne do të rishqyrtojmë aspektet origjinale të dizajnit të Kenzo Tange, do të jemi shumë të kujdesshëm për të ridizajnuar në mënyrë të sofistikuar të gjitha aspektet”.

Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë Josif Josifovski deklaroi se përfundimisht ky projekt i vonuar do të ketë fillimin e tij dhe detyra e tyre do të jetë që të bëjnë rikonstruimin e plotë dhe rehabilitimin e të gjitha elementeve të korridorit hekurudhor 10.

JOSIF JOSIFOVSKI, DEKAN I FAKULTETIT TË NDËRTIMTARISË

“Edhe vetë pistat do të përfshihen. Me këtë projekt ne do të sigurojmë të gjitha kushtet dhe standardet që zbatohen në të gjitha vendet e Evropës Perëndimore. Pjesëmarrja e Fakultetit të Ndërtimtarisë është një premtim dhe garanci për cilësinë e punës së kryer”.

Hera e parë kur ishte lëshuar në përdorim Stacioni Hekurudhor ishte korriku i vitit 1981.

Emine Ismaili /SHENJA/

MARKETING