(VIDEO) Ministria e Energjetikës ka mbledhur mbi 500 milionë denarë

Me rritjen e tarifave të koncesioneve për gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale ka mbledhur mbi 500 milionë denarë, që është një sukses historik dhe është dyfishi i shumës së mbledhur krahasuar me vitin 2024, ka deklaruar ministrja e Energjetikës, minierave dhe burimeve minerale Sanja Bozhinovska në një intervistë për MIA-n. Ajo thotë se duke forcuar kontrollet inspektuese, qëllimi i tyre është të vendosin standarde evropiane
SANJA BOZHINOVSKA, MINISTRE E ENERGJETIKËS, MINIERAVE DHE BURIMEVE MINERALE
“Që në fillim, e bëra të qartë se do të vendosim rregull në sistemin e koncesioneve. Kjo do të thotë që të gjithë ata që kanë marrë të drejtën për të përdorur një burim shtetëror duhet të përmbushin detyrimet e tyre, pa përjashtim. Ne kemi rritur kompensimet për koncesionet në miniera, një masë që nuk është marrë prej vitesh – dhe kemi krijuar një sistem të ri kontrolli dhe mbledhjeje. Shifrat specifike tregojnë se për gjashtë muajt e parë të vitit 2025, Ministria mblodhi mbi 500,000,000 denarë, që është një sukses historik”.
Ajo sqaroi se shuma e paguar nga koncesionaret deri më tani ishte një nga më të ulëtat krahasuar me Evropën dhe për këtë arsye thotë se kjo nuk përfaqëson asnjë barrë mbi konkurrueshmërinë e subjekteve që operojnë në këtë industri në vend.
SANJA BOZHINOVSKA, MINISTRE E ENERGJETIKËS, MINIERAVE DHE BURIMEVE MINERALE
“Nga ana tjetër për mua është shumë e rëndësishme që shumica e mjeteve të mbledhura në këtë bazë të përfundojnë në buxhetet e komunave ku ndodhen minierat. Ato para nuk do të përdoren për burokraci dhe administratë, por kryesisht do të përdoren për nevojat e njerëzve, për projekte që do ta bëjnë drejtpërdrejt jetën e tyre më të lehtë, qoftë ky një park i ri, rrugë apo kopsht fëmijësh”.
Bozhinovska bëri të ditur se Ministria ka kryer tashmë një revizion të të gjitha koncesioneve aktive dhe ka përcaktuar se disa prej tyre nuk janë në përputhje me rregulloret ligjore, prandaj mbi 45 koncesione janë ndërprerë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/