Filipçe akuzon pushtetin: Premtimet e VMRO-DPMNE-së ishin mashtrime

Lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, ka kritikuar ashpër qeverinë e drejtuar nga VMRO-DPMNE, duke i akuzuar për dështime në të gjitha fushat dhe për mashtrime ndaj qytetarëve.
“Vetëm një vit e gjysmë pas ardhjes në pushtet, askush nuk është krenar,” deklaroi Filipçe në një dalje publike. Ai tha se slogani i premtuar “Maqedonia krenare” tashmë është harruar, pasi realiteti është krejt ndryshe.
Sipas tij, qytetarët përballen me rënie të standardit të jetesës, rritje të pakontrolluar të çmimeve, mashtrime me pensionet dhe stagnim të pagave. Filipçe gjithashtu ngriti shqetësimin për largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
“Brenda një viti, 17,000 qytetarë janë larguar nga Maqedonia. Kompanive u detyrohen 700 milionë euro nga TVSH-ja, sepse buxheti është bosh,” tha ai.
Në aspektin ndërkombëtar, lideri i LSDM-së akuzoi qeverinë për dështim në përmbushjen e premtimeve lidhur me marrëdhëniet me Bullgarinë dhe procesin e negociatave me BE-në.
“Premtuan se do ta vendosin Bullgarinë në qoshe dhe se do të sigurojnë kushte më të mira në negociata, por sot nuk ka asgjë nga këto. Rruga përpara është e paqartë dhe pa drejtim,” përfundoi Filipçe.