(VIDEO) Dy shtetas serbë ndalohen dhe gjobiten për kontrabandë duhani në Shkup

Dy shtetasve të Republikës së Serbisë u është shpallur aktgjykim nga Gjykata Themelore Penale Shkup mbi bazën e marrëveshjes së arritur nga Prokuroria Themelore Publike Shkup për kontrabandim të cigareve. Më 1 tetor, përmes pikës kufitare “Bllacë” dy të dyshuarit hynë në vend duke shmangur kontrollin doganor dhe transportuan mallra akcize të paregjistruara, gjithsej 2.300 steka me nga 10 kuti cigare me banderola të Kosovës, me një vlerë të përgjithshme prej 3.220.000 denarësh.
PROKURORIA THEMELORE PUBLIKE SHKUP
‘’Cigaret i transportuan me një automjet mallrash në pronësi të një personi juridik nga Serbia, të fshehura në bunkerë të improvizuar në rimorkio, duke shmangur kontrollin doganor. Cigaret u zbuluan nga zyrtarë policorë që vërejtën kamionin dhe e kontrolluan në rrugën “Kristijan Todorovski Karposh” në Shkup, ndërsa në të njëjtin automjet po ngarkoheshin cigare me banderola maqedonase’’.
Të akuzuarve u është shqiptuar gjobë prej nga 4.000 euro secilit, gjithashtu sic raportuan nga Prokuroria u është shqiptuar dhe masa e dëbimit nga vendi në kohëzgjatje prej pesë vjetësh. Ndërkaq janë konfiskuar të gjitha cigaret e kontrabanduara, kamioni me rimorkio, 1.300 euro që i kishin me vete në momentin e kryerjes së veprës dhe dy telefona celularë. /SHENJA/