Avokati i Popullit: Të mbrohen fëmijët nga abuzimi politik në zgjedhjet në Maqedoni

Avokati i Popullit, përmes Departamentit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe personave me invaliditet, dërgoi apel publik te të gjithë pjesëmarrësit në Zgjedhjet Lokale 2025 të përmbahen nga përfshirja e fëmijëve në aktivitetet politike.
“Përfshirja e fëmijëve në çfarëdo lloj aktiviteti politik, paraqet një formë të papranueshme të instrumentalizimit të fëmijës dhe shkelje të dinjitetit të tij dhe të drejtën e mbrojtjes nga ndikimi politik, të garantuar me Konventën për të drejtat e fëmijëve, Ligjin për mbrojtjen e fëmijëve, si dhe Kodin Zgjedhor, i cili parashikon që pjesëmarrësit në fushatën zgjedhore detyrohen të veprojnë në pajtim me parimet e sjelljes etike dhe përgjegjëse”, citohet në kumtesën e Zyrës së Avokatit të Popullit.
Avokati i Popullit thekson se fëmijët nuk duhet të shfrytëzohen për promovimin e partive politike, kandidatët ose programet, as të paraqiten në videoklipe, paraqitje publike ose materiale promovuese në kontekst të fushatës.
Në atë drejtim, Avokati i popullit apelon të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor të përmbahen nga çdo lloj pranie ose paraqitje e fëmijëve në fushatat e tyre, dhe i inkurajon prindërit dhe opinionin të paraqesin raste të tilla te Avokati i Popullit ose organet kompetente, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe dinjitetit të fëmijëve.
Avokati i Popullit do të vazhdojë ta ndjekë gjendjen dhe do të veprojë sipas të gjitha informatave ose ankesave të cilat kanë të bëjnë me shkelje të mundshme të të drejtave të fëmijëve në procesin zgjedhor.
Duke kujtuar mundësinë e raportimit të shkeljes së të drejtës së votës në linjën telefonike pa pagesë 0800 54321, Avokati i Popullit theksoi se çdo fëmijë ka të drejtë të mbrohet nga ndikimi dhe abuzimi politik, dhe në këtë drejtim, lufta politike midis të rriturve nuk duhet të zhvillohet përmes fëmijëve