Von der Leyen të dielën nis vizitën në Ballkanin Perëndimor

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor të dielën. Ky do të jetë rasti për të përsëritur mbështetjen e BE-së për rrugën e pranimit të rajonit në BE dhe aksesin gradual në Tregun e Përbashkët, si dhe për të diskutuar Planin e Rritjes prej 6 miliardë eurosh të BE-së për Ballkanin Perëndimor për vitet 2024-2027.
Të hënën në mëngjes, presidentja von der Leyen do të takohet me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe Edi Ramën, kryeministrin e vendit, në Tiranë. Të hënën pasdite, ajo do të mbajë fjalim në Konferencën Rajonale të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, përpara se të udhëtojë për në Tivat, Mali i Zi.
Në Tivat, presidentja von der Leyen do të zhvillojë takime me presidentin e Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe me kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiq. Të martën, poashtu në Tivat, ajo do të mbajë fjalimin e hapjes në konferencën e Investimeve të Malit të Zi, përpara se të niset për në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, presidentja do të vizitojë memorialin e Srebrenicës dhe do të marrë pjesë në Sarajevë në një takim me anëtarët e presidencës së Trio-s së Bosnjës dhe Hercegovinës. Më pas ajo do të takohet me kryetaren e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto.
Të mërkurën në mëngjes, presidentja von der Leyen do të jetë në Serbi. Ajo do të ketë një takim dypalësh me kryeministrin e Serbisë Gjuro Macut, pastaj me presidentin Aleksandar Vuçiq.
Të mërkurën pasdite, presidentja von der Leyen do të udhëtojë për në Prishtina, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, dhe më vonë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Poashtu të mërkurën pasdite, presidentja do të udhëtojë për në Shkup. Ajo do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe me kryetarin e Parlamentit, Afrim Gashi, duke përfunduar udhëtimin e saj në rajon.
Konferencat për shtyp dhe fjalimet që do të mbahen gjatë turneut të saj do të transmetohen në EBS.
Vizita e Presidentes von der Leyen në Ballkanin Perëndimor këtë vit vjen pas atyre të viteve 2024, 2023, 2022 dhe 2021. Ajo e përsëriti rëndësinë e rajonit për Bashkimin Evropian në shumë raste gjatë vitit të kaluar, përfshirë fjalimin e saj për gjendjen e Unionit në vitin 2025, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në maj 2025 dhe në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në dhjetor 2024.