Ademi: Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike

Ademi: Pjesëmarrja e VLEN në tubimet e VMRO-së dëshmon varësinë e plotë politike

Pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë dhe njëkohësisht shefit të shtabit zgjedhor të koalicionit VLEN për Komunën e Gostivarit, z. Azir Aliu, si dhe vetë kandidatit të tyre për këtë komunë, në tubimin e VMRO-DPMNE-së në Gostivar, është dëshmi e qartë se ky koalicion tashmë është plotësisht i varur nga votat e VMRO-së në çdo komunë të vendit — aq sa kërkon shpëtimin dhe lutet për ndihmë te padroni politik që e mban gjallë. Kështu ka deklaruar nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, duke shtuar se sipas tij, kjo nuk është bashkëpunim por nënshtrim politik me përulje publike.
“Është tregues i qartë se VLEN e di mirë se do të humbasë në çdo komunë shqiptare, sepse nuk e ka votën e shqiptarëve, nuk e ka besimin dhe nuk e ka më legjitimitetin e popullit shqiptar.
Dhe kur e humb besimin e popullit tënd, mbetet vetëm një rrugë: t’i kërkosh mëshirë padronit që të shpëtojë politikisht.
Në vend që të përfaqësojë interesat e qytetarëve shqiptarë, VLEN ka zgjedhur të përfaqësojë interesat elektorale të VMRO-së – duke marrë pjesë në mitingjet e tyre, pa pasur madje as fuqinë t’i ftojë ata në mitingjet e veta. Por kjo nuk ndodh – sepse, siç thotë fjala e urtë politike: padroni nuk shkon te vasali.
Ky është dallimi mes partneritetit dhe vasalitetit: Partnerët bashkëpunojnë – vasalët nënshtrohen.
VLEN sot nuk flet më me votën e shqiptarëve, por me votën e VMRO-së.
VLEN nuk flet më me zërin e shqiptarëve, por me zërin e partisë që premtoi dhe hoqi balancuesin, dhe parashtroi iniciativën për shfuqizimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare”, ka deklaraur mes tjerash Arbër Ademi.

MARKETING