(VIDEO) Mjeku i plagosur del nga spitali, kërkon të mos politizohet ngjarja

Është lëshuar për kurim shtëpiak mjeku Zekerija Shaini, i cili dje u plagos në një zonë të frekuentuar të qyetit të Kumanovës dhe po kurohej në Klinikën “Nënë Tereza”, në Shkup, në repartin e Kirurgjisë Plastike.
Pas lirimit në kurim shtëpiak, ka reaguar mjeku, Shaini, i cili e ka cilësuar tentim-vrasje, goditje në pabesi. Ai ka kërkuar që ngjarja të mos marrë ngjyrime politike, sepse nuk ka armiqësi me askënd.
ZEKIRJA SHAINI – MJEK
“Dje u godita në pabesi nga persona të maskuar. Dua t’ju siguroj se unë nuk kam hak ndaj askujt, e as nuk i kam prekur kujt familjen apo nderin — për këtë e kam dëshmitar vetëm Zotin. Jemi në periudhë fushate zgjedhore, por nuk dua që kjo ngjarje të marrë ngjyrime politike. Nuk kam armiqësi politike me askënd. Lus organet e rendit që ta zbardhin këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur”
Megjithatë, kjo ngjarje përsëri ka nxitur reagime politike. Lidhja Social Demokrate ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski. Opozitarët pyesin se deri kur Toshkovski do të fshihet dhe do t’i ikë përgjegjësisë.
LSDM
“Deri kur mendon Toshkovski të fshihet pas retorikave politike, ndërkohë që rrugët bëhen gjithnjë e më të pasigurta për qytetarët? Nuk janë vetëm të shtënat e fundit në Kumanovë – rritja e pandërprerë e incidenteve të armatosura dhe të dhunshme në qytete të ndryshme, janë një sinjal i dështimit të plotë. Nuk ka as parandalim, as reagim të duhur. Për këtë duhet të ketë përgjegjësi”
Opozitarëve u është përgjigjur shpejt ministri Toshkovski. Ai ka deklaruar se nuk e ka ndërmend të plotësojë dëshirën e LSDM-së dhe nuk do të dorëhiqet. Sipas tij, sulmet nga LSDM janë të motivuara politikisht. Ai akuzon se kërkesat e vazhdueshme për dorëheqjen e tij janë përpjekje për të fshehur dështimet e veta dhe të partisë
PANÇE TOSHKOVSKI, MINISTËR I PUNËVE TË BRENDSHME
“Unë nuk do të jap dorëheqje. Përkundrazi, ndërkohë që ju merreni me manipulime, unë do të vazhdoj të zgjidh problemet dhe të pastroj rrëmujën që e latë pas. Për ju politika është show, për ne është përgjegjësi. Për dhjetë ditë, në zgjedhjet lokale, do ta shihni rezultatin e kërkesës suaj të zëshme për ‘dorëheqje’”.
Në heshtje për këtë rast nuk ka qëndruar as Bashkimi Demokratik për Integrim, nënkryetari Ademi ka kërkuar nga organet të zbardhin në mënyrë urgjente rastin. Ka deklaruar për më tepër se ky nuk është një incident i zakonshëm, por një akt i rëndë, i qëllimshëm dhe makabër, që synon të krijojë pasiguri, frikë dhe tension.
Mevludin Imeri /SHENJA/