Toshkovski i prerë ndaj LSDM-së: Nuk jap dorëheqje!

Toshkovski i prerë ndaj LSDM-së: Nuk jap dorëheqje!

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka reaguar ashpër ndaj kritikave të fundit nga ana e LSDM-së, të cilat i ka cilësuar si “sulme të dëshpëruara, të pabaza dhe të motivuara politikisht”. Përmes një postimi në Facebook, ai ka komentuar kërkesat e përsëritura të kësaj partie për dorëheqjen e tij, duke thënë se ato synojnë të mbulojnë dështimet politike të opozitës dhe frikën e saj nga përgjegjësia.

“Ditët e fundit kemi qenë dëshmitarë të një vale tjetër sulmesh të motivuara politikisht nga LSDM-ja ndaj meje. E kuptoj dëshpërimin e tyre, sidomos kur çdo sondazh i ri tregon një rënie të mbështetjes së tyre më shpejt se sa arrijnë të shpikin një gënjeshtër të re,” ka shkruar Toshkovski.

Ai shtoi se kjo lëvizje nuk ka të bëjë me debat politik, por përfaqëson një “histeri të organizuar” që, sipas tij, nuk bazohet në fakte, por në skenarë të përsëritur për konsum mediatik.

“Ka më shumë se një vit që aktiviteti i përditshëm i qendrës së shtypit të LSDM-së është reduktuar në një fjali të vetme: ‘Dorëheqje për Toshkovskin!’ – çdo ditë, e njëjta fjalë, i njëjti intonacion, pavarësisht temës në diskutim,” shtoi ministri.

Toshkovski deklaroi se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje dhe se do të vazhdojë të angazhohet në zgjidhjen e problemeve në vend.

MARKETING