BDI reagon për incidentin e armatosur në Kumanovë

BDI reagon për incidentin e armatosur në Kumanovë

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër pas një sulmi të armatosur ndaj kandidatit të saj dhe bartësit të listës për këshillin komunal të Likovës, i cili ka mbetur i plagosur pasi është qëlluar nga persona të maskuar. Fatmirësisht, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.

Në një deklaratë publike, BDI e ka cilësuar sulmin si një “akt barbar dhune” dhe ka bërë thirrje për reagim urgjent nga institucionet shtetërore.

“Dënojmë ashpër këtë akt të rëndë dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm, me transparencë dhe vendosmëri, për të identifikuar dhe arrestuar autorët e këtij atentati,” thuhet në reagimin zyrtar të partisë.

BDI ka apeluar gjithashtu për qetësi dhe maturi nga ana e mbështetësve të saj, duke kërkuar që qytetarët të mos bien pre e provokimeve dhe të ruajnë qetësinë.

“I bëjmë thirrje të gjithë simpatizantëve tanë dhe qytetarëve në përgjithësi që të tregojnë pjekurinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.”

Në shenjë solidariteti me kandidatin e plagosur dhe për të reflektuar seriozitetin e ngjarjes, BDI ka vendosur të pezullojë aktivitetet e saj për ditën e sotme, duke i lënë hapësirë autoriteteve që të veprojnë për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

MARKETING