(VIDEO) VMRO dhe LSDM në garë me akuzat për financa nga Bullgaria
Fushata politike vazhdon të jetë e ashpër në sulmet ndërmjet partive politike. Nga VMRO DPMNE sot kanë akuzuar LSDM-në se në kohën e ish kryeministrit Zoran Zaev, ai i kishte ofruar materiale të përgjuara një ish kryeministrit bullgar si dhe një skemë për të blerë dy kompani të mëdha, njëra prej të cilave ishte televizion vendor. Ata kanë pyetur publikisht kreun e LSDM-së Venko Filipçe se çfarë kanë përmbajtur ato materiale të përgjuara.
BRANE PETRUSHEVSKI DEPUTET I VMRO-DPMNE-SË
“Venko Filipçe nuk duhet të heshtë dhe të përgjigjet se çfarë përmbanin ato materiale të përgjuara që mentori i tij Zoran Zaev ia dha ish-kryeministrit të Bullgarisë, i cili tani po keqpërdor me pozicionin e tij në BE dhe po na bllokon. Venko Filipçe dhe LSDM duhet të tregojnë nëse dhe pse Zoran Zaev ofroi një skemë për blerjen e dy kompanive të mëdha në Maqedoni nga kompani bullgare të afërta me atë ish-kryeministër? Dhe a është një nga ato kompani një television I madh, përmes të cilit do të kryhej propaganda bullgare në Maqedoni?”
Akuzave të VMRO-DPMNE-së menjëherë i janë përgjigjur nga LSDM. Ata thonë se Petrushevski dhe kryeministri Hristijan Mickoski me afera të tilla tentojnë ta mbulojnë kapitalin bullgar të VMRO-DPMNE-së. Sipas LSDM-së pjesa dërmuese e kësaj partije drejtojnë kompani në Bullgari.
LSDM
“Brane Petrushevski, njeriu që qytetarët e kujtojnë si luftëtar kundër rritjes së pagave dhe armik të punëtorëve, po përpiqet me dëshpërim ta fshehë të vërtetën për Mickoskin dhe udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së përmes gënjeshtrave. E vërteta është se gjysma e udhëheqjes drejton kompani në Bullgari dhe, sipas informacioneve në media, kjo është mënyra se si e financojnë partinë. Kjo është arsyeja pse Brane Petrushevski dhe Mickoski shpresojnë se me historitë e tyre të sajuara do të mbulojnë turpin dhe hipokrizinë e partisë së tyre”.
Nga LSDM thanë se për një vit e gjysmë VMRO-DPMNE ka mashtruar publikun me destabilizime, me dronë dhe afera të sajuara që kanë dështuar një nga një, ndërkaq nga VMRO thanë se Venko Filipçe është një mjet në planin e Zaevit dhe se e ashtuquajtura rezolutë e tij është vetëm një zgjatim i planit të Zoran Zaevit për t’ia nënshtruar shtetin Bullgarisë.
Medina Ajeti Ali /SHENJA/

