(VIDEO) Austria dhe Sllovenia mbështesin dialogun mes Shkupit dhe Sofjes

(VIDEO) Austria dhe Sllovenia mbështesin dialogun mes Shkupit dhe Sofjes

Ministrja Federale për Çështje Evropiane integrim dhe familje e Republikës së Austrisë Klaudija Plakolm dhe Sekretarja shtetërore në Ministrinë për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë, Neva Grashiç kanë deklaruar se i japin mbështetje të plotë dialogut midis Shkupit dhe Sofjes, për të cilin Qeveria e vendit ka njoftuar se do të zhvillohet pas zgjedhjeve. Ato në konferencën e përbashkët me ministrin për çështje europiane të vendit Orhan Murtezani të pyetura se nëse vendet e tyre do të përpiqen për këtë çështje thanë se në çdo rast ata janë mbështetës të fortë të dialogut. Ato njoftuan se Austria dhe Sllovenia, së bashku me Gjermaninë dhe Italinë, kanë iniciuar një ndryshim në procesin e vendimmarrjes së Komisionit Evropian për pranimin e vendeve kandidate, duke përdorur një shumicë të kualifikuar për hapat e ndërmjetëm teknikë dhe unanimitet për fillimin dhe përfundimin e negociatave.

KLAUDIJA PLAKOLM, MINISTRE FEDERALE PËR ÇËSHTJE EVROPIANE INTEGRIM DHE FAMILJE E REPUBLIKËS SË AUSTRISË

“Në mes të Evropës, një pjesë e madhe mungon nga të qenit pjesë e BE-së, ne duhet të përpiqemi ta mbyllim këtë boshllëk në mënyrë që të rrisim sigurinë e kontinentit dhe të lidhim atë që i përket njëri-tjetrit. Procesi i anëtarësimit ka vazhduar për 20 vjet, për 20 vjet i kemi premtuar Maqedonisë së Veriut se do të bëhet anëtare e BE-së. Sot kam lajme nga Austria për ju. Austria do të avokojë për një shumicë të kualifikuar në procesin e pranimit të vendeve të reja në BE në mënyrë që të zvogëlojë burokracinë”.

Sekretarja shtetërore në Ministrinë për Çështje të Jashtme dhe Evropiane të Republikës së Sllovenisë Neva Grashiç tha se si Sllovenia ashtu edhe Austria këmbëngulin që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në BE sa më shpejt të jetë e mundur.

NEVA GRASHIÇ, SEKRETARE SHTETËRORE NË MINISTRINË PËR ÇËSHTJE TË JASHTME DHE EVROPIANE TË REPUBLIKËS SË SLLOVENISË

“Zgjerimi i BE-së mbetet prioriteti ynë, kryesisht për shkak të dinamikës gjeopolitike. Ne kemi insistuar që Maqedonisë së Veriut të bëhet pjesë e BE-së deri në vitin 2030 dhe e kuptojmë zhgënjimin. Sllovenia dhe Gjermania kohët e fundit propozuan votimin me shumicë të kualifikuar për çështje teknike që lidhen me zgjerimin dhe ne duam të shohim vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe të tjera nga Lindja, të përparojnë sa më shpejt të jetë e mundur”.

Ministri për çështje evropiane Orhan Murtezani tha se  metodologjia e zgjerimit duhet të pësojë ndryshime të caktuara, jo vetëm sepse e kemi përjetuar nga afër, por edhe sepse, për fat të keq, thotë ai, po bëhet praktikë dhe jo vetëm që dëmton interesat e vendeve kandidate, por edhe interesat strategjike të BE-së.

ORHAN MURTEZANI, MINISTËR PËR ÇËSHTJE EVROPIANE I RMV-SË

“Kjo është veçanërisht për shkak të faktit se e bën anëtarësimin më të vështirë dhe lë hapësirë për, si të thuash, keqpërdorimin e proceseve dypalëshe të anëtarësimit. Gjeopolitika ka ndryshuar dhe duhet të vendoset një metodologji që do të lejojë një përfundim të shpejtë të procesit në këto kushte pasigurie”.

Kjo iniciativë është tashmë në Komisionin Evropian, e mbështetur nga 16 shtete anëtare, dhe siç u shpjegua sot në Shkup nga delegacioni Austriak dhe Slloven , qëllimi është të përshpejtohet procesi dhe të shmanget futja e çështjeve dypalëshe dhe të brendshme politike në procesin e antarësimit.

Medina Ajeti Ali /SHENJA/

MARKETING