Vrasja e shtetasit turk në Shtip, Prokuroria ngriti aktakuzë kundër pesë shtetasve turq

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka ngritur aktakuzë kundër pesë shtetasve turq, të cilët dyshohen për përfshirje në vrasjen e shtetasit turk Enes Ozdemir, e ndodhur në maj të këtij viti.
Sipas Prokurorisë, njëri prej të akuzuarve, një 21-vjeçar pa leje qëndrimi në Maqedoninë e Veriut, ngarkohet me veprën penale “Vrasje” sipas nenit 123 paragrafi 1 të Kodit Penal, si dhe për mbajtje të paautorizuar të armës së zjarrit me të cilën është kryer krimi, në përputhje me nenin 396 paragrafi 1.
Tre persona të tjerë akuzohen për bashkëkryerje në vrasje, bazuar në nenin 24 të Kodit Penal, ndërsa e pesta e akuzuar do të përgjigjet për ndihmë pas kryerjes së veprës penale të rëndë, në përputhje me nenin 365 paragrafët 1 dhe 2.
Detajet e ngjarjes
Sipas aktakuzës, i dyshuari kryesor ka blerë në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri gjysmë automatike të tipit “FEG” (kalibër 9 mm), me të dhëna të fshira për modelin dhe numrin serik. Përmes komunikimeve në celular, ai ishte marrë vesh për një takim me viktimën më 8 maj, në një lokal në qendër të Shtipit.
Pas një bisede rreth 15 minutëshe në tarracën e lokalit, i akuzuari ishte larguar për një moment në tualet dhe më pas ishte kthyer me armën në dorë, duke qëlluar gjashtë herë ndaj Ozdemir, i cili ndërroi jetë nga plagët e marra.
Përfshirja e të tjerëve
Tre të akuzuarit e tjerë, sipas Prokurorisë, kishin dijeni për planin kriminal dhe e kishin mbështetur autorin në mënyrë logjistike. Ata i siguruan strehim në Shkup më 30 prill dhe ndihmuan në blerjen e armës përmes personave të tjerë ende të paidentifikuar. Gjithashtu, ditën e krimit, ata e shoqëruan me veturë deri në Shtip.
Pas vrasjes, për të shmangur ndalimin nga autoritetet, të akuzuarit thirrën të pestën e akuzuar, e cila i transportoi me veturën e saj drejt Shkupit. Kur u afruan te pika e pagesës në Miladinovci dhe vërejtën praninë e një veture policie, e akuzuara ndaloi automjetin rreth 300 metra para postbllokut, duke i mundësuar të dyshuarit kryesor të largohej në këmbë. Ai u arrestua më vonë në autostradë, ndërsa pjesa tjetër e grupit u ndalua dhe u arrestua menjëherë pas kontrollit të mjetit nga policia.
Masat e sigurisë
Prokurori publik ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për katër prej të akuzuarve, ndërsa ndaj të pestës mbeten në fuqi masat paraprake të sigurisë, të caktuara më herët nga gjykata.