Elmazi: Disa vendbanime në Saraj ende pa rrjet ujësjellësi, ndërsa të tjerët përballen me probleme të shtypjes së ujit

Kandidati i koalicionit VLEN për komunën e Sarajit, Muhamet Elmazi, në emisionin “Debat në SHENJA” foli për problemet me rrjetin e ujësjellësit në disa vendbanime të komunës.
Elmazi bëri me dije se disa fshatra, si Çajlana, Semenishti, Vorca dhe Radusha, ende nuk kanë rrjet të rregullt ujësjellësi dhe banorët e tyre kanë improvizuar furnizimin me ujë me mjete dhe iniciativë vetanake.
“Ndërsa pjesa tjetër e komunës ka rrjet ujësjellësi, një problem i shfaqur është shtypja e ujit në sistem,” tha Elmazi.
Ai shtoi se gjatë mandatit të tij si këshilltar në qytetin e Shkupit, nisi iniciativa dhe debate të ashpra me kryetaren e qytetit për të siguruar ujë të pijshëm për banorët e Sarajit.
“Si rezultat i bashkëpunimit ndërkomunal midis Komunës së Sarajit dhe qytetit të Shkupit, janë siguruar rreth 197 milionë denarë për riinvestime në rrjetin e ujësjellësit, me qëllim zgjidhjen e problemeve të furnizimit me ujë në komunë”, deklaroi Elmazi. /SHENJA/