Ramadani: E kemi gati planin për ta rregulluar infrastrukturën në Saraj!

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Sarajit, Blerant Ramadani, në një intervistë të dhënë sonte në emisionin “Debat në SHENJA”, prezantoi planin e tij konkret për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në zonat rurale të komunës.
Ramadani theksoi se prioriteti i tij do të jetë rregullimi i rrugëve brenda fshatrave, duke marrë shembull nga rrugët e rregulluara në fshatrat Bojanë dhe Svillare e Epërme. “Plani ynë konkret përfshin përmirësimin e rrugëve lokale në të gjitha fshatrat e komunës. Si model do të shërbejnë fshatrat Bojanë dhe Svillare e Epërme, ku rrugët kryesore janë ndërtuar sipas të gjitha standardeve moderne. Synojmë që këtë model ta zbatojmë në të gjitha vendbanimet rurale të Sarajit,” deklaroi Ramadani.
Ai shtoi se përmirësimi i infrastrukturës rrugore do të ndikojë pozitivisht në jetën e banorëve, duke nxitur kthimin e qytetarëve në vendbanimet e tyre, veçanërisht në fshatrat që ndodhen më larg nga qendra e komunës. /SHENJA/