(VIDEO) Supremja konfirmoi shkarkimin e gjykatësit Enver Bexheti

Shkarkohet përfundimisht gjykatësi i Apelit Enver Bexheti. Gjykatësi i cili i ruante në sirtar lëndët e Sasho Mijallkovit derisa ato të vjetroheshin, në dhjetor të vitit të kaluar u fut në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm dhe marrjes së ryshfetit nga Mijallkov. Ai u shkarkua, më 27 maj nga Këshilli Gjyqësor. Por, Bexheti e ankimoi vendimin, dhe Këshilli i Ankesave i Gjykatës Supreme, në seancën e sotme, solli vendim me të cilin e konfirmoi vendimin e Këshillit Gjyqësor.
Gjykata Supreme
“Këshilli i Ankesave i Gjykatës Supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në seancën e mbajtur më 03.09.2025, miratoi vendimi me të cilin KONFIRMON vendimin e Këshillit Gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut të datës 26.05.2025”.
Vendimin e publikoi edhe Këshillit Gjyqësor, i cili thekson se gjyqtari Bexheti shkarkohet për shkak të shkeljes të rëndë disiplinore që e bën të padenjë për të kryer funksionin gjyqësor.
Këshilli Gjyqsor
“E.B., gjyqtar i Gjykatës së Apelit SHKARKOHET nga ushtrimi i detyrës së tij gjyqësore, për shkak të shkeljejs së rëndë disiplinore që e bën atë të padenjë në ushtrimin e detyrës së tij gjyqësore dhe për shkak të shkeljes së rëndë të rendit publik dhe formave të tjera më të rënda të sjelljes së pahijshme që cënojnë reputacionin e gjykatës dhe reputacionin e tij”.
Gjykatësi i Apelit Enver Bexheti dhe ish zëvendës kryeministri Artan Grubi u futën në Listën e Zezë Amerikane, me çka atyre dhe familjarëve të tyre iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Grubi dhe Bexheti dyshohet të jenë të përfshirë në korrupsion të madh përshkak se kanë pranuar ryshfet nga ish-drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkovi, ndaj të cilit udhëhiqeshin disa raste gjyqësore.
Emine Ismaili Luzha /SHENJA/