Beqiri dhe Ibraimi: Luajmë ndeshje historike, të japim maksimumin dhe të respektojmë fanellën

Beqiri dhe Ibraimi: Luajmë ndeshje historike, të japim maksimumin dhe të respektojmë fanellën

Shkëndija të enjten në Madrid të Spanjës luan ndeshjen e parë në histori në fazën kryesore të një kompeticioni Evropian, ndërsa para duelit me Rayo Vallecanon para mediave spanjolle nga tabori kuqezi folën trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi.

Jeton Beqiri: “Është një ndeshje e rëndësishme për ne si klub, si staf teknik, si futbollist dhe për të gjithë të tjerët që janë të angazhuar në klub për shkak se është historike sa i përket debutimit tonë në Ligën e Konferencës. Gjithashtu është e jashtëzakonshme që do të luajmë me një ekip të një kampionati shumë të respektuar”.

Besart Ibraimi“Është ndeshje historike për të gjithë ne. Jemi të kënaqur që kemi arritur deri këtu, jemi të gatshëm ta japim maksimumin, e dimë se me çfarë kundërshtari luajmë nesër. E vlerësojmë dhe është për tu vlerësuar, e jona është të dalim në fushë, të japim maksimumin dhe të shpresojmë që te futbolli nuk fiton gjithmonë më i miri”.

Jeton Beqiri: “Besoj që nuk do të ishte korrekt të përzgjedhim një futbollist të Rayo Vallecanos, për arsye se ka shumë futbollist cilësor dhe unë do të doja ti respektoj të gjithë ata. Sa i përket skuadrës, janë agresiv që luajnë një futboll modern dhe atmosfera që krijohet këtu në stadium, gjithmonë është e jashtëzakonshme”.

Besart Ibraimi: “Edhe unë nuk do të kisha veçuar ndonjërin prej futbollistëve. Normal i kemi ndjekur, ndeshjen me Barcelonën dhe Sevillan, janë një grup i mirë, luftojnë shumë dhe besoj që janë një ekip luftarak”.

Jeton Beqiri: “Për ne e rëndësishme është që të bëjmë një paraqitje të mirë, të mundohemi të japim maksimumin. Është e vërtet se ne nuk jemi përballur me skuadra të këtij niveli, të kësaj lige si La Liga, që unë mendoj se është kampionati më i fortë në botë. Gjithashtu respekt të madh edhe për kolegun tim të Rayo Vallecanos që bisedohet për një trajner jashtëzakonisht shumë të mirë”.

Besart Ibraimi: “Ne jemi të gatshëm që nesër të dalim në fushë, të japim maksimumin në çdo aspekt, e dimë me çfarë kundërshtari kemi punë nesër, e rëndësishme është se ne jemi gati dhe pjesën tjetër të ia lëmë fushës”.

Jeton Beqiri: “Për ne është e rëndësishme që të respektojmë fanellën që bartim, të respektojmë klubin dhe të mundohemi të bëjmë maksimumin e mundshëm dhe shpresoj që të bëjmë një paraqitje të mirë këtu në Madrid dhe të bëjmë një figurë të mirë si klub”.

Besart Ibraimi: “E dimë që Rayo Vallecano është favorit në ndeshjen e nesërme. Gati çdo javë ne e shikojmë La Ligën, i shikojmë ekipet e mëdha, kanë luajtur me ekipe si Barcelona, Real Madridi, kështu që ne i njohim dhe jemi krenar që luajmë kësi lloj ndeshje me skuadra që i shohim kundër Real Madridit apo Barcelonës, por e jona mbi të gjitha është të dalim ta japim maksimumin”.

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se Rayo është një favorit i madh në letër sa i përket ndeshjes së nesërme, ndërsa neve na mbetet që të jemi një kundërshtar i denjë që të bëjmë maksimumin. Sa i përket ekipit të Rayos, unë besoj personalisht, por edhe në klubin tonë, por edhe nga vendi ku vimë ne, kemi informacione për shkak se kampionati i vendit të juaj është shumë e respektuar dhe e ndjekur në vendin tonë dhe normalisht kur ndjekë të njejtën ligë, ndjek të gjitha skuadrat që marrin pjesë në La Liga”.

Besart Ibraimi: “Besoj që është një stadium normal. Ende nuk e kemi parë, pasi ta shohim, ndoshta tani mund të ju tregojmë se çfarë mendimi kemi”.

Jeton Beqiri: “Unë mendoj se është një nga favoritët për të fituar këtë Ligë, pasi vjen nga një kampionat shumë i fuqishëm. Por, gjithashtu duhet të jem i sinqert se në këtë Ligë, bëjnë pjesë ekipe që do të rivalizojnë me Rayon deri në fund dhe shpresoj që ekipi që do ta meritoj më shumë të shpallet fitues”.

Jeton Beqiri: “Gjithsesi, mendimi dhe komenti i kolegut tim është respekt për ne për shkak se ne në vendin ku luajmë dhe në ndeshjet paraprake të Europës, kemi tentuar të luajmë futboll të hapur dhe sulmues. Besoj që nuk mund të ndryshojmë nga stili jonë shumë gjëra, pavarësisht se ka momente kur loja juaj varet edhe nga loja e kundërshtarit, por gjithsesi ne do të qëndrojmë besnik të lojës së hapur dhe futbollit të bukur”.

Kuqezinjtë sonte me seancën e fundit stërvitore mbyllën përgatitjet për ndeshjen e debutuese në fazën kryesore të UEFA Conference League, kur përballë Rayo Vallecanos në “Estadio se Vallecas” të Madridit do të luajnë ndeshjen e parë dhe historike në grupet (tashmë faza e ligës) e një kompeticioni europian.

Dueli Rayo-Shkëndija luhet të enjten me fillim në orën 18:45.

MARKETING