(VIDEO) Deponi e egër në Butel, komuna fajëson qytetarët e pandërgjegjshëm

Pamjet të cilat po i shihni janë vetëm fillimi i një deponie që supozohet të jetë krijuar nga vetë komuna e Butelit për të mos dërguar mbeturinat në deponinë Drislla, TV Shenja u nis drejt destinacionit final, por për shkak të kushteve atmosferike dhe rrugës së papërshtatshme, ne u penguam që të shkojmë deri në fund.
Për këtë dërguam pyetje edhe tek komuna e Butelit. Nga Komuna thonë se krijues të deponisë në fjalë janë qytetarët e pandërgjegjshëm dhe të gjitha mbeturinat e grumbulluara nga Ndërmarrja Komunale deponohen në deponinë “Drislla”.
Ndonëse i pyetëm, nga Komuna nuk treguan nëse inspektorët e këtij institucioni kontrollojnë zonën në fjalë për të marrë masa ndaj qytetarëve të pandërgjegjshëm të cilët bëjnë veprime të tilla.
KOMUNA E BUTELIT
“Është për të ardhur keq që disa qytetarë ose subjekte të pandërgjegjshme keqpërdorin hapësirat publike dhe krijojnë deponi të tilla të egra, me ç’rast e rrezikojnë shëndetin dhe ambientin jetësor. Ju sigurojmë se Komuna e Butelit mbetet e përkushtuar ndaj synimeve për një komunë të pastër, duke ndërmarrë vazhdimisht masa për pastrimin e deponive të egra, si dhe aktivitete për edukimin dhe ngritjen e vetëdijes së qytetarëve’.
Problemi me mbeturinat është aktual më shumë se asnjëherë më parë në vend. Kontejnerët rrugëve të qytetit janë kthyer në sfidë për institucionet lokale dhe janë kthyer deponi në vete, të gjithë gishtin për këtë problem e drejtojnë tek Higjiena Komunale.
Mevludin Imeri /SHENJA/