Bujar Osmani paralajmëron masa urgjente për vendparkime: Çdo lagje do të ketë minimum dy parkingje, një falas dhe një me pagesë

Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Bujar Osmani, në një konferencë për shtyp e prezantoi strategjinë e tij për zgjidhjen e mungesës kronike të vendparkimeve, duke paralajmëruar se komuna është para një kolapsi të plotë.
“Çairi është i mbytur, është shndërruar në komunë të makinave.
Thjesht nuk ka më hapësirë, rrugët janë shndërruar në parkingje, trotuaret janë shndërruar në parkingje, dhe nuk ka më trotuare të lira në Çair.
Madje edhe parqet kanë filluar të mbushen me makina. Qytetarët çdo ditë jetojnë me ankth dhe stres, dhe nga bisedat me ta mësoj se disa madje po mendojnë të shpërngulen për shkak të këtij kaosi”, deklaroi Osmani.
Ai e prezantoi strategjinë afatshkurtër, e cila parasheh krijimin e zonave të parkimit në çdo lagje, të hartuar në bashkëpunim me arkitektin e njohur botëror, Michel Rojkind.
“Ne pjesët më të urbanizuara, në çdo rrugë, në çdo lagje të ketë të paktën dy parkingje: një falas dhe një me pagesë. Në rastin e parë, komuna do të blejë një oborr, shtëpi apo hapësirë dhe do ta shndërrojë në parking falas.
Në rastin e dytë, qytetarët mund t’i japin oborret apo shtëpitë e tyre, dhe komuna do t’i ndihmojë t’i shndërrojnë në parkingje që do t’i menaxhojnë ata, në formë partneriteti privat ose publik-privat me komunën, dhe ato do të jenë me pagesë”, sqaroi Osmani.
Ky model, sipas tij, mund të zbatohet më së miri në pjesët më të urbanizuara siç janë Sera, Gazi Baba, Dijon, Dukandzhik dhe Teneqe Mahalla, të cilat janë veçanërisht të ngulfatura nga makinat dhe kërkojnë çlirimin e tyre.
“E kemi hartëzuar të gjithë territorin e Çairit, kemi identifikuar zonat dhe zgjidhjet që mund të zbatohen menjëherë. Është koha që Çairi të bëhet komunë e njerëzve, e jo e makinave”, përfundoi Osmani.