Delegacion i Kuvendit në Konferencën Ndërparlamentare në Danimarkë

Delegacion i Kuvendit në Konferencën Ndërparlamentare në Danimarkë

Delegacioni i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, i përbërë nga: Igor Zdravkovski, zëvendëskryetar i Komisionit për Çështje Evropiane; Jovanka Trençevska, zëvendëskryetare e Komisionit për Financim dhe Buxhet; Sillvana Angelevska, anëtare e Komisionit për Çështje Ekonomike, Punë dhe Politikë Energjetike, po merr pjesë në Konferencën Ndërparlamentare për Stabilitetin, Koordinimin Ekonomik dhe Menaxhimin në Bashkimin Evropian (SECG), si pjesë e Dimensionit Parlamentar të Kryesimit të Danimarkës me Këshillin e Bashkimit Evropian, që u mbajt nga 28 deri më 30 shtator 2025 në Billund, Danimarkë.

Siç informojnë nga Kuvendi i Maqedonisë, konferenca u përqendrua në tema që lidhen me sfidat aktuale gjeopolitike dhe se si BE-ja mund ta forcojë pozicionin e saj në ekonominë globale, si dhe në çështjen se si të financohet autonomia e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së në dritën e tensioneve aktuale gjeopolitike; por edhe nëse rregullat fiskale të BE-së janë të qëndrueshme në situatën e re gjeopolitike.

“Në sesionin kushtuar forcimit të pozicioneve të Bashkimit Evropian në ekonominë botërore, Igor Zdravkovski mbajti fjalim, duke theksuar se çështja e një Bashkimi Evropian më të fortë është po aq e rëndësishme për shtetet anëtare aktuale dhe kandidatët, të cilat, përmes reformave dhe angazhimeve të tyre, përpiqen të kontribuojnë në prosperitetin e përbashkët evropian. Zdravkovski theksoi se BE-ja po përballet me sfida serioze – rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me SHBA-në dhe Kinën, një hendek në produktivitet, rënie demografike, si dhe nevojën për t’u përballur me ndryshimet teknologjike dhe tranzicionin e gjelbër. Ai shtoi se sot forca ekonomike është e lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë, prandaj konkurrueshmëria dhe siguria duhet të ndiqen së bashku. Në këtë kontekst, zgjerimi nuk është vetëm një vendim politik, por edhe një përgjegjësi morale dhe gjeostrategjike. Për Maqedoninë e Veriut, siç tha ai, ky vizion nuk është abstrakt, por përfaqëson një angazhim konkret për vlerat e përbashkëta, reformat dhe ndërtimin e një Evrope më të sigurt dhe konkurruese”, thuhet në kumtesë.

Sesioni i dytë me temën “Si do të financohet pavarësia e politikës së sigurisë së BE-së?” u trajtua nga Jovanka Trençevska. Ajo theksoi se autonomia strategjike e Bashkimit Evropian në fushën e sigurisë është me rëndësi thelbësore jo vetëm për Evropën, por edhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Për rajonin nga vij unë, investimet evropiane në siguri nënkuptojnë bashkëpunim të përforcuar, shkëmbim informacioni dhe përafrim me standardet e BE-së në mbrojtje dhe menaxhim krizash”, theksoi Trençevska.

Në prezantimin e saj, ajo nënvizoi se zgjerimi i Bashkimit nuk duhet të shihet vetëm si një proces politik, por si një investim i vërtetë në stabilitetin dhe prosperitetin e të gjithë kontinentit. Trençevska theksoi se Ballkani ka rëndësi strategjike dhe nuk është periferi, por vija e parë e Evropës, duke shtuar se Evropa nuk mund të ndërtojë një të ardhme të sigurt duke neglizhuar portat e saj lindore dhe juglindore. Në përfundim, ajo tha se një Evropë e fortë dhe e sigurt duhet të nënkuptojë edhe një Ballkan të qëndrueshëm dhe të sigurt.

Konferenca Ndërparlamentare, citojnë nga Kuvendi, mblodhi së bashku parlamentarë dhe ekspertë në debate mbi sfidat aktuale gjeopolitike, sigurinë dhe mbrojtjen evropiane. U diskutua e ardhmja e BE-së, situata aktuale e sigurisë, situata në Lindjen e Mesme, qëndrueshmëria e Evropës përballë krizave globale, si dhe hapat e ardhshëm në procesin e integrimit evropian. Konferenca synon të kontribuojë në ndërtimin e një Bashkimi Evropian më elastik, të bashkuar dhe efikas.

MARKETING