(VIDEO) Mirëpritet plani i Donald Trump për paqe në Gaza

(VIDEO) Mirëpritet plani i Donald Trump për paqe në Gaza

Plani i presidentit të SHBA-së, Donald Trump për paqen në Gaza, është mbështetur nga vendet europiane dhe vendet e lindjes së mesme. Plani është mirëpritur edhe nga Australia.

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka vlerësuar homologun e tij amerikan, Donald Trump, për përpjekjet e tij për të ndërmjetësuar një armëpushim në Rripin e Gazës dhe zotohet për mbështetjen e Turqisë për përpjekjet e paqes.

Ministrat e Jashtëm të Turqisë, Jordanisë, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Indonezisë, Pakistanit, Arabisë Saudite, Katarit dhe Egjiptit publikuan një deklaratë të përbashkët për të shprehur besimin e tyre në aftësinë e Trumpit për të gjetur një rrugë drejt paqes.

Deklarata u bë pas konferencës për media në Ëashington me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ku Trump paraqiti pikat kryesore të planit të tij për armëpushim në Gaza. Propozimi përfshin lirimin e robërve izraelitë dhe çarmatosjen e Hamasit. Ministrat theksuan rëndësinë e partneritetit me SHBA-në për sigurimin e paqes në rajon. Ata konfirmuan gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar “pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive” me SHBA-në dhe palët përkatëse për të siguruar përfundimin dhe zbatimin e marrëveshjes në një mënyrë që garanton paqe, siguri dhe stabilitet për popujt e rajonit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, prezantuan një plan të përbashkët me 20 pika për të ndalur luftën në Gazë dhe për të hapur rrugën drejt stabilitetit afatgjatë në Lindjen e Mesme. Plani i propozuar përfshin shkatërrimin e tuneleve dhe objekteve të Hamasit, trajnimin e forcave lokale të policisë, dhe tërheqjen graduale të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nga Gaza. Në të njëjtën kohë, SHBA-ja parashikon ngritjen e një qeverie të përkohshme teknokratike palestineze, nën mbikëqyrjen e një organi ndërkombëtar të quajtur “Bordi i Paqes”, që do të drejtohet nga vetë Trump. Hamasi nuk do të ketë asnjë rol në këtë qeverisje, as në mënyrë të drejtpërdrejtë, as të tërthortë. /SHENJA/

MARKETING