Visar Ademi: Do ta pastroj administratën komunale nga militantët partiakë

Visar Ademi: Do ta pastroj administratën komunale nga militantët partiakë

Kandidati i pavarur për Komunën e Gostivarit, Visar Ademi, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj punësimeve partiake në administratën komunale, në rast se merr mandatin e kryetarit.

Gjatë debatit televiziv në emisionin “Debat në SHENJA”, Ademi deklaroi se në komunën e Gostivarit ekziston një numër i madh i të punësuarve që, sipas tij, nuk kryejnë asnjë detyrë pune, por janë të vendosur në administratë për qëllime partiake.

“Sipas të dhënave tona, mbi 500 persona marrin rrogë duke qëndruar në shtëpi, pa asnjë angazhim konkret. Vetëm në komunën e Gostivarit. Një pjesë tjetër janë të punësuar me kontratë vepre, shfaqen në punë, por realisht nuk kanë ndonjë detyrë,” u shpreh Ademi.

Ai theksoi se në vitin 2017, kur Arben Taravari mori drejtimin e komunës, numri i të punësuarve ishte rreth 135, ndërsa tani ka arritur në 300. “Dihet që këta janë militantë partiakë, të përdorur për fushata zgjedhore nga partitë në pushtet ose opozitë. Nuk ka logjikë që me 40 mijë banorë më pak, të kemi rritje të administratës,” theksoi ai.

Ademi premtoi se, nëse zgjidhet kryetar, do të ndërmarrë hapa konkretë për pastrimin e administratës nga punësimet politike.

“Të gjithë ata me kontratë vepre, që nuk kanë ndonjë vend specifik pune, do të largohen menjëherë. Do ta pastroj administratën nga militantët partiakë,” përfundoi Ademi. /SHENJA/

MARKETING