Limani: Ndërmarrjet komunale duhet të drejtohen më shumë nga gratë

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Gostivarit, Valbon Limani, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së grave në pozita drejtuese në nivel lokal.
Gjatë një interviste në emisionin “Debat në SHENJA”, Limani u shpreh se është përkrahës i fuqizimit të grave në drejtimin e ndërmarrjeve publike të komunës.
“Për momentin, komuna e Gostivarit ka tri ndërmarrje publike. Ndërmarrja publike ‘Komunalec’ tashmë katër vite udhëhiqet me sukses nga një grua. Ndërsa ndërmarrja ‘Parqe dhe Gjelbërime’ aktualisht udhëhiqet nga meshkuj. Personalisht, jam ithtar i asaj që sa më shumë ndërmarrje të drejtohen nga gratë,” deklaroi Limani.
Ai shtoi se përfshirja më e madhe e grave në pozita vendimmarrëse është një vlerë që e mbështet dhe do ta nxisë në të ardhmen nëse merr besimin e qytetarëve.