Valbon Limani: Mbi 20 projekte infrastrukturore të realizuara gjatë mandatit tim në Gostivar

Kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim për Komunën e Gostivarit, Valbon Limani, ka deklaruar se që nga marrja e detyrës në krye të komunës, në korrik, janë realizuar mbi 20 projekte në fushën e infrastrukturës.
Në një intervistë për emisionin “Debat në SHENJA”, Limani theksoi se angazhimi i tij ka qenë i pandërprerë, përveç rasteve kur kushtet atmosferike nuk kanë lejuar punimet.
“Që nga dita kur kam marrë drejtimin e komunës, kam nisur menjëherë nga puna dhe nuk jam ndalur, përveç kur moti nuk ka qenë i përshtatshëm. Deri tani janë realizuar mbi 20 projekte infrastrukturore, të cilat vazhdojnë të zhvillohen me të njëjtin ritëm edhe sot,” u shpreh Limani.
Ai shtoi se, në rast se qytetarët ia japin sërish besimin në zgjedhjet e ardhshme, do të vazhdojë punën me edhe më shumë përkushtim. /SHENJA/