Red Bull tremb McLaren, Norris: Janë tjetër nivel

Red Bull tremb McLaren, Norris: Janë tjetër nivel

Pas deklaratës së Andrea Stelas, drejtori i Mek Larenit, i cili e përfshiu Maks Vershtapenin në mesin e favoritëve për titullin kampion 2025 në F1, edhe Lando Norris shpreh frikën e tij. Diçka ka ndryshuar te “MCL39”, i cili prej garës në Monza nuk duket më kaq superior, dhe kjo përkon me dy pista me ngarkesë të ulët aerodinamike, pikërisht pika më e dobët e makinave “papaya”.

Por edhe në Zandvort, një pistë me ngarkesë të lartë, ata nuk arritën të marrin avantazhet që priteshin, ku Maks Vershtapen I rrezikoi seriozisht, duke u klasifikuar i dyti, ndërsa Norris u tërhoq për shkak të një defekti në motorin e njëvendëshes së tij. Çështja është se ritmi i dobët i treguar nga Lando në Baku, ku mbeti për shumë xhiro i bllokuar pas Red Bullit të dytë, të Juki Tsunodas, për ta mbyllur në vendin e shtatë në fund, kanë bërë që të lëkundet besimi se kampioni do të dalë patjetër nga ndonjëri prej dy pilotëve të skuadrës së MekLarenit. “Nuk është e zakonshme që ata (Red Bull) të jenë të ngadaltë, ndaj mendoj se njerëzit nuk duhet të habiten kur ata janë të shpejtë.
Maks fitonte gara që në fillim të sezonit, mund ta kishte fituar të parën në Australi, dhe ishte shumë afër fitores edhe në Sprintin e dytë”, kujton Norris për fillimin sezonal të Red Bullit. “Kanë qenë të shpejtë gjatë gjithë sezonit. Red Bulli ka qenë mirë dhe sollën disa përmirësime në Monza që duket se i ndihmuan të përmirësohen edhe më shumë. Prandaj, nuk është befasi, e dimë që janë një skuadër jashtëzakonisht e fortë dhe kanë një nga pilotët më të mirë në historinë e Formulës 1”, shton britaniku, duke përfshirë kështu kandidaturën e Vershtapenit për titullin.

TSUNODA, PENGESË E PAPRITUR

Norris parashikon se kjo do të jetë tabloja për shtatë garat e mbetura, edhe pse teorikisht Singapori, një pistë ku Vershtapen nuk ka fituar kurrë, duhet të jetë terren i favorshëm për MekLarenin, madje në masë të madhe. “Besoj se do të na e bëjnë jetën të vështirë deri në fund të sezonit, por gjithashtu e dimë që në Baku kemi pasur disa vështirësi, ndërsa në Monza nuk ishim mjaftueshëm të shpejtë”, thotë Lando.

“Jemi përmirësuar, por në aspekte ku Red Bull ka qenë tradicionalisht kaq i fortë dhe dominues, ata vazhdojnë të jenë, ndërsa ne jo. Kur ndiqja Red Bullin e Tsunodas, ishte e qartë që në disa fusha ishin në një nivel më të lartë se ne, dhe duhet të kuptojmë pse”, shton ai në një reflektim shqetësues. “Mendoj se për sa i përket ritmit maksimal, nuk ishim keq në Baku”, shprehet Norris. “Vazhdoja të isha i shpejtë në FP1, FP2, FP3 etj. Nëse do të ishte një kualifikim normal… Mendoj se kushtet e vështira, pak shi, apo dalja e parë në pistë, të gjitha kontribuuan që të bëhej fundjava më e keqe”, vlerëson ai.

VERSHTAPEN, I PAARRITSHËM

Por piloti britanik e pranon se në garë nuk do të kishte mundur të luftonte me një Vershtappen që “fluturonte” në pistë. “Pozicioni ynë në garë… mendoj se nëse do të nisesha i dyti, do të përfundoja i dyti. Sinqerisht, nuk mendoj se kishim ritmin e Red Bullit, kjo ishte shumë, shumë e qartë. Në pistat me më pak ngarkesë aerodinamike, ende kemi vështirësi”, shpjegon piloti që renditet i dyti në Botëror, 25 pikë pas Oskar Piastrit.

“Ende nuk kemi atë besim që na nevojitet. Mund të jemi të shpejtë, por nuk mund ta përsërisim këtë me frekuencën e duhur, ashtu siç e bën Red Bulli”, thotë piloti i MekLarenit, një makinë që ka arritur 9 “pole position” dhe 12 fitore në 17 GP deri më tani këtë vit. “Kemi pasur një sezon të jashtëzakonshëm, mos më keqkuptoni”, përpiqet të zbutë kritikat, “por është e qartë që kemi ende gjëra që nuk janë mjaftueshëm të mira dhe duhet të vazhdojmë të punojmë mbi to”, përsërit britaniku. Duket se gjunjët kanë filluar të dridhen te MekLaren pas paraqitjeve të fundit të Vershtapenit, dhe se Lando ka përdorur këtë lloj justifikimi më shpesh nga sa duhet. /Bw

MARKETING