(VIDEO) Osmani: BDI ka një epërsi bindëse ndaj koalicionit VLEN

(VIDEO) Osmani: BDI ka një epërsi bindëse ndaj koalicionit VLEN

Kandidati për kryetar të Çairit, Bujar Osmani, ka komentuar rezultates e anketës së fundit të Agjencisë “Market Vision”, duke thënë se epërsia e BDI-së tashmë nuk mund të fshihet. Ai tha se kjo anketë, rezultatet e së cilës u shpërndanë nga deputeti i VMRO-DPMNE-së, Nikola Micevski, vetëm e konfirmoi të vërtetën që me muaj e javë po përpiqen ta fshehin, e ajo është se BDI ka një epërsi bindëse ndaj koalicionit VLEN, pothuajse më shumë se dy me një.

Bujar Osmani, AKI

Mëngjesin e sotëm pati debate të ndryshme se çfarë mesazhi dëshiron të japë, por ndoshta në përpjekje për të promovuar rezultatet e veta, VMRO ka harruar se po publikon një të vërtetë që përpiqen ta mbulojnë me javë e muaj, e ndoshta tashmë nuk mund ta fshehin. Një të vërtetë që tek shqiptarët këto zgjedhje po shndërrohen në një vendimmarrje plebishitare”.

Ai shtoi se, edhe pse VMRO-DPMNE është përpjekur ta shfrytëzojë anketën për të promovuar rezultatet e saj, në fakt ka zbuluar të vërtetën në bllokun politik shqiptar. Megjithatë, siç potencoi Osmani, epërsia e BDI-së ndaj VLEN-it është edhe më e madhe.

Osmani këto deklarata i bëri pas nënshkrimit të Kodit për zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Në lidhje me këtë, ai theksoi rëndësinë historike të zgjedhjeve të ardhshme, duke vlerësuar se rezultati në Çair do të përcaktojë jo vetëm të ardhmen e komunës, por edhe pozitën e shqiptarëve në shtet për dekadat që vijnë.

Teuta Buçi /SHENJA/ 

MARKETING