(VIDEO) Hynë në fuqi ndryshimet ligjore, ndalohen celularët dhe kufjet për këmbësorët

Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor njoftoi se, prej sot hyjnë në fuqi ndryshimet e reja në Ligjin për Sigurinë në Trafikun Rrugor. Ligji në fjalë parasheh që këmbësorët që kalojnë rrugën dhe flasin në celular, përdorin kufje për të folur në të dy veshët, orë të mençur ose tablet do të sanksionohen që nga sot (26 shtator). Të njëjtat masa ligjore vlejnë për shoferët e biçikletave, mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave të cilët, sipas ligjit, nuk lejohen të përdorin pajisje elektronike gjatë drejtimit të automjetit.
Këshilli Republikan për Sigurinë në Trafikun Rrugor
“Zgjidhjet e reja ligjore po prezantohen me qëllim eliminimin e disa zakoneve tek këmbësorët dhe drejtuesit e kategorive të caktuara të automjeteve. Ligji i ri, përcakton që drejtuesi i një skuteri elektrik gjatë drejtimit të automjetit nuk mund të përdorë pajisje elektronike, siç janë kufjet në të dy veshët, telefoni celular, tableti, ora e mençur ose çdo lloj tjetër pajisjeje elektronike që do të zvogëlonte stabilitetin dhe aftësinë për të reaguar dhe për të drejtuar automjetin në mënyrë të sigurt, përveç pajisjeve të specializuara të komunikimit që janë të integruara në helmetat mbrojtëse”.
Kjo, sipas Këshillit, nënkupton vendosjen e standardeve të reja për sjellje të përgjegjshme në trafik, ku këmbësorët, çiklistët, drejtuesit e skuterëve elektrikë dhe pjesëmarrësit e tjerë në trafik të parashikuar nga zgjidhja ligjore janë të detyruar të marrin pjesë në trafik pa përdorur pajisje elektronike që shpërqendrojnë vëmendjen e tyre.
Ata theksuan se qëllimi i ndryshimeve të tilla ligjore është të krijojë kushte për siguri më të madhe, të zvogëlojë rreziqet dhe të mbrojë jetën e njerëzve. Ndërkaq Këshilli u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik të respektojnë rregullat dhe rregulloret e trafikut sepse siguria në rrugë është një përgjegjësi e përbashkët.
Anida Murati /SHENJA/