(VIDEO) 7 vjeçarja vdes në spital, familja fajëson mjekët, drejtori thotë se ata vepruan sipas protokolleve

(VIDEO) 7 vjeçarja vdes në spital, familja fajëson mjekët, drejtori thotë se ata vepruan sipas protokolleve

Një vajzë 7-vjeçare ka ndërruar jetë mbrëmë në Spitalin Klinik të Tetovës, duke tronditur opinionin publik. Familjarët e të ndjerës akuzojnë mjekët për trajtim të gabuar dhe për faktin se nuk e kanë transferuar në kohë drejt Shkupit për kujdes më të avancuar. Sipas dëshmive të familjarëve, gjendja e vajzës ishte përkeqësuar shpejt, por ekipi mjekësor nuk kishte ndërmarrë masat e nevojshme për ta nisur menjëherë në një qendër më të specializuar.

Ndërkaq, drejtori i spitalit të Tetovës Erzen Elezi, ka dhënë detaje në lidhje me rastin e vdekjes së 7-vjeçares në repartin e Pediatrisë. Ai tha se pacientja 7-vjeçare është pranuar në spital të shtunën në mbrëmje me dhimbje të muskujve.

Erzen Elezi, drejtori i spitalit të Tetovës

Fëmija ka qenë në krah të prindërit dhe nuk ka mundur të ecë. Nga ana e mjekut kujdestar janë marrë të gjitha masat e menjëhershme me analiza të duhura, për të ardhur te diagnoza e saktë e pacientes. Është pranuar në repartin pediatrik dhe është filluar me terapinë sipas moshës. Infuzionet janë dhënë në bazë të protokolleve mjekësore. Gjendja ka qenë stabile deri në ditën e nesërme dhe i janë bërë sërish analiza. \ Gjatë terapisë pacientja nuk ka mundur të gëlltit, dhe sërish i është bërë analiza dhe kontroll. Pastaj pacientja është dërguar në repartin e ORL-së për t’ia larguar sekretin e gojës dhe pacientja nuk ka treguar shenja të lëvizshmërisë”.

Ndërkaq lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili përmes një deklarate publike ka shprehur ngushëllime dhe ka premtuar transparencë të plotë.

Azir Aliu, Ministri i Shëndetësisë

Me dhimbje të thellë mësova për rastin tragjik në Tetovë, ku një fëmijë 7-vjeçar ka ndërruar jetë. Ngushëllime të sinqerta familjes në këto momente të rënda. Janë ndërmarrë masa për të zbardhur të gjitha rrethanat e rastit dhe opinioni do të informohet me transparencë për çdo hap. Jeta dhe shëndeti i qytetarëve, veçanërisht i fëmijëve tanë, është përgjegjësia jonë më e madhe”.

Megjithatë, sa i përket këtij rasti drejtori i spitalit të Tetovës tha se është informuar që nga MSH po përgatitet komision shëndetësor për të zbardhur rrethanat e këtij rasti.

Anida Murati /SHENJA/

MARKETING