Mexhiti: Së shpejti nis ndërtimi i objektit të ri të shkollës “Idnina” në Çair

Zëvendës kryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, së bashku me ministren e Arsimit dhe Shkencës, prof. dr. Vesna Janevska, dhe përfaqësues nga Dhoma e Tregtisë MATTO, vizituan sot Shkollën e Mesme “Shën Naumi Ohrit”, ku po adaptohen dhe rinovohen nëntë kabinete të reja që përkohësisht do të përdoren për nevojat e Qendrës së Burimeve “Idnina” të Çairit deri në ndërtimin e shkollës së re në këtë Komunë.
Gjatë vizitës, ata ndoqën rikonstruimin dhe adaptimin e hapësirave në Shkollën e Mesme Shtetërore “Shën Naumi i Ohrit”, të cilat do të përdoren përkohësisht nga nxënësit me nevoja të veçanta arsimore nga “Idnina” në Çair.
Mexhiti theksoi se çdo fëmijë ka të drejtë për qasje të barabartë në arsim cilësor dhe mundësi për zhvillim. “Falë angazhimit të Qeverisë dhe donacionit nga MATTO, nëntë kabinete të reja do të jenë funksionale – për mbështetje individuale, mësim sipas metodës Montessori, riedukim psikomotorik, terapi me art, dhomë sensoriale dhe bibliotekë”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti potencoi se ky është vetëm hapi i parë. Qeveria mbetet e përkushtuar në ndërtimin e një objekti të ri modern në lokacionin ekzistues në Çair.
“Vizionin ynë që Çairi të bëhet komunë vërtet inkluzive – shembull për mënyrën se si shoqëria kujdeset për më të vegjlit dhe më të ndjeshmit. Faleminderim për të gjithë ata që e mbështetën projektin, sepse kjo është një fitore e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, komunitetit të biznesit dhe qytetarëve. Këto hapësira nuk janë vetëm mure dhe pajisje – ato janë simbol i një shoqërie që investon në të ardhmen e saj”, tha Mexhiti.
Ministrja Janevska shtoi se në “Idnina” përfshihen 70 nxënës të rregullt dhe 130 nxënës me programe të veçanta.
“Kjo është një zgjidhje e përkohshme me një donacion prej 100 mijë euro, ndërsa Qeveria do të ndërtojë një objekt të ri modern në vendndodhjen ekzistuese në Çair, ku fëmijët do të kthehen”, tha Janevska.