Osmani prezantoi strategjinë për luftimin e bullizmit: Staf i shtuar i psikologëve, fushata edukative dhe trajnime për mësuesit

Osmani prezantoi strategjinë për luftimin e bullizmit: Staf i shtuar i psikologëve, fushata edukative dhe trajnime për mësuesit

Kandidati për kryetar komune nga koalicioni AKI, Bujar Osmani, në një konferencë për media shpalli betejën e tij të vendosur kundër bullizmit në shkolla, duke premtuar se Çairi do të bëhet komuna e parë në vend me një front sistematik dhe institucional kundër dhunës ndaj fëmijëve.
“Shkollat tona duhet të jenë tempuj të dijes dhe miqësisë, jo arena të frikës dhe përjashtimit. Nga Çairi do të dërgojmë një mesazh: Nuk tolerojmë bullizëm, nuk tolerojmë heshtje përballë padrejtësisë!”, deklaroi Osmani.
Ai paralajmëroi një ndryshim të plotë në mënyrën se si komuna do ta trajtojë problemin. Punëtori të rregullta për inteligjencën emocionale dhe empatinë, programe për aftësi digjitale, staf i shtuar psikologësh dhe pedagogësh në shkolla, si dhe një linjë anonime për raportim që do të jetë në dispozicion për çdo fëmijë. “Çdo fëmijë duhet ta dijë se ka kujt t’i drejtohet. Kjo është detyrimi im personal ndaj Çairit dhe ndaj së ardhmes,” theksoi Osmani.
Në këtë betejë ai do të përfshijë edhe prindërit, mësuesit, organizatat lokale, sportistët dhe artistët, duke krijuar, siç tha ai, “një mur bashkimi kundër dhunës”. “Nëse duam një komunitet të fortë, duhet të fillojmë me fëmijët tanë. T’u japim atyre siguri, mbështetje dhe shembull. Ky është themeli i çdo shoqërie me dinjitet,” nënvizoi ai.

MARKETING