(VIDEO) BDI: Qeveria e “Botës Serbe” po izolon Maqedoninë

Nënkryetari i BDI-së Arbër Ademi, ka njoftuar për ngecjet evidente në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të cilat, siç tha ai reflektohen qartë në raportet krahasuese të vendeve të rajonit. Ademi theksoi se Mali i Zi ka mbyllur disa kapituj negociues, Shqipëria është në fazë të avancuar, ndërsa Maqedonia e Veriut, pavarësisht sakrificave vazhdon të mbetet e bllokuar.
ARBËR ADEMI, NËNKRYETAR I BDI-së
“Ky realitet është rezultat i politikave bllokuese, paaftësisë dhe mungesës së vullnetit të sinqertë nga qeveria aktuale, e cila as në plan nuk i ka ndryshimet kushtetuese që do të çlironin procesin eurointegrues të vendit. VLEN-i gënjeu para zgjedhjeve kur deklaronte se ‘nuk ka qeveri pa ndryshime kushtetuese’. Gënjeu përsëri kur premtoi se brenda 3 muajve, pastaj 6 muajve, e më pas edhe brenda një viti do të ndodhnin ndryshimet ose do të rishikonte pjesëmarrjen në qeveri. Me i nxjerr për dere, ata hynë për dritare në qeverinë që e ka sjellë projektin e ‘Botës Serbe’ këmbëkryq në Maqedoni’’.
Ademi thotë se kjo gjendje e dëmton drejtpërdrejt perspektivën evropiane të vendit dhe aspiratat e qytetarëve, ku thekson se mospërparimi i vendit në drejtim të anëtarësimit në BE, sjellë cenim dhe mosrespektim dhe të vetë Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
BDI kërkon përshpejtim të menjëhershëm të hapave drejt hapjes së kapitujve negociues, largim të politikave obstruktive dhe një angazhim të sinqertë e transparent në realizimin e anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.//SHENJA/