Izraelit vret 18 palestinezë të tjerë, hedh në erë ndërtesa banimi në Gaza

Ushtria izraelite në sulmet ndaj Rripit të Gazës ka vrarë 18 palestinezë të tjerë, përfshirë dy fëmijë, ndërsa njëkohësisht ka hedhur në erë ndërtesa banimi me eksplozivë në qytetin e Gazës, raporton Anadolu.
Izraeli vazhdon luftën gjenocidale pothuajse 2-vjeçare në enklavën palestineze, duke synuar të ripushtojë qytetin e Gazës dhe të zhvendosë banorët e saj. Sipas dëshmitarëve dhe burimeve mjekësore që folën për Anadolu, sulmet izraelite shënjestruan tendat e familjeve të zhvendosura, si dhe grumbullimet e civilëve në disa pjesë të territorit.
Në Gazën qendrore, burimet mjekësore thanë se një palestinez u vra dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ndaj një tubimi civilësh në rrugën Al-Azayza në Deir al-Balah. Një tjetër palestinez u vra dhe disa u plagosën në një sulm tjetër pranë kryqëzimit Abu Srar në kampin e refugjatëve Nuseirat.
Në Gazën jugore, dy fëmijë motër e vëlla u vranë dhe disa të tjerë u plagosën kur bombardimet izraelite në mëngjes goditën një tendë të palestinezëve të zhvendosur në zonën Al-Mawasi në perëndim të Khan Younisit.
Agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa raportoi se 14 palestinezë të tjerë u vranë nga të shtënat dhe bombardimet izraelite në disa zona të Rripit të Gazës. Agjencia tha se pesë trupa u sollën në Kompleksin Mjekësor Al-Shifa, tre në Spitalin Baptist Al-Ahli, pesë në Spitalin Al-Awda dhe një në Spitalin Al-Aqsa.
Në Qytetin Gaza disa persona u plagosën pasi bombardimet izraelite goditën një tendë pranë Xhamisë Al-Tawhid në kampin e refugjatëve Al-Shati. Gjashtë të tjerë, përfshirë gra dhe fëmijë, u plagosën në zjarrin e artilerisë izraelite pranë kryqëzimit Al-Sousi në të njëjtin kamp.
Dëshmitarët thanë se ushtria përdori automjete shpërthyese me telekomandë për të hedhur në erë ndërtesa dhe objekte pranë zonës së selisë së inteligjencës në veriperëndim të qytetit të Gazës dhe në lagjen Tel al-Hawa në jug të qytetit.
Ndërkohë, siç konfirmuan burime mjekësore, në Rafah disa palestinezë që prisnin shpërndarjen e ndihmave u plagosën nga të shtënat izraelite pranë zonës Shakoush.
Që nga 27 maji, Izraeli ka operuar një mekanizëm të njëanshëm të shpërndarjes së ndihmave përmes të ashtuquajturit “Fondacioni Humanitar i Gazës”, i quajtur “kurth vdekjeje” nga palestinezët, i cili nuk njihet nga OKB-ja dhe grupet ndërkombëtare të ndihmës.
Forcat izraelite vazhdimisht kanë shënjestruar civilët që prisnin në këto pika të ndihmës, duke vrarë dhe plagosur mijëra.
Që nga 7 tetori i vitit 2023, Izraeli ka kryer gjenocid në Rripin e Gazës duke vrarë mbi 65.100 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Sulmi ka zhvendosur qindra mijëra dhe ka shkaktuar një uri që ka marrë jetën e të paktën 435 personave, përfshirë 147 fëmijë.