MSH: Pacienti që vdiq në Onkologji u soll në një gjendje shumë të rëndë, pacienti vdiq pavarësisht të gjitha masave të marra

Lidhur me rastin e pacientes së ndjerë në Klinikën e Onkologjisë, Ministria e Shëndetësisë informon se pacientja është sjellë në gjendje jashtëzakonisht të rëndë, me metastaza në kocka në fazën 4, me të cilën është diagnostikuar një vit më parë dhe i është dhënë terapi. Ekipi mjekësor menjëherë ka filluar procedurën për sigurimin e një derivati gjaku, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me rastin e pacientit që vdiq sot në Klinikë.
“Për fat të keq, ndërkohë që kjo procedurë ishte në vijim, pacienti ndërroi jetë pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra. Gjithashtu, theksojmë se familja e pacientit ka refuzuar të bëhet autopsia. Pohimet për humbjen e historikut mjekësor të pacientit janë të pavërteta dhe nuk kanë asnjë lidhje me trajtimin e tij”, qëndron në kumtesë.
Ministria e Shëndetësisë bën apel drejtuar opinionit publik për respektimin e integritetit, dinjitetit dhe profesionalizmit të të gjithë mjekëve dhe punonjësve shëndetësorë. Kërcënimet verbale apo fizike nuk duhet të jenë pjesë e një shoqërie që synon humanizëm dhe kujdes për shëndetin.
“Puna e përditshme në Klinikën për Onkologji dhe Radioterapi, por edhe në institucionet e tjera shëndetësore, sjell sfida të mëdha dhe barrë emocionale. Ekipet mjekësore vazhdimisht përballen me gjendje të rënda dhe përfundime të pasigurta, duke dhënë përpjekje maksimale për shpëtimin e jetëve dhe ofrimin e kujdesit cilësor”, citon Ministria.
Ministria edhe një herë kujton se mjekët janë aleatë të pacientëve dhe familjeve të tyre.
“Vetëm përmes besimit të ndërsjellë, respektit dhe mbështetjes mund të ndërtojmë një sistem shëndetësor që ofron trajtim human dhe të sigurt për të gjithë”, citohet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.