(VIDEO) Shqipëria një hap para drejt anëtarësimit në BE, çelen 4 kapituj të rinj

(VIDEO) Shqipëria një hap para drejt anëtarësimit në BE, çelen 4 kapituj të rinj

Shqipëria ka hapur sot grup-kapitullin e parafundit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në Konferencën e 6-të Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Evropian u hapën 4 kapituj të rinj të Grupkapitullit me temë “Agjenda e Gjelbër dhe Ndërlidhja e Qëndrueshme”. Në një deklaratë për mediat në Bruksel, komisionerja e BE për zgjerim Marta Kos u shpreh se Shqipëria ka bërë një punë mjaft të mirë dhe ka ecur me hapa mbresëlënëse në çeljen e kapitujve, duke e inkurajuar që të vijojë me këtë ritëm, por duke përfshirë dhe Parlamentin, shoqërinë civile dhe sektorin privat.

Marta Kos, komisionere evropiane për zgjerim

Ky rezultat është rrjedhojë e punës së madhe të autoriteteve shqiptare që kanë çuar përpara reformat përgjatë shumë viteve dhe sidomos gjatë këtij viti, pavarësisht zgjedhjeve që janë zhvilluar. Ne e dimë që reformat që ju kërkojmë kandidatëve tanë, ndonjëherë nuk janë të lehta, kërkojnë ndryshime themelore, por vendi juaj, i dashur Kryeministër, po tregon që mund të bëhet, Shqipëria po tregon që ndryshimi pozitiv është i mundur dhe se BE-ja e shpërblen këtë ndryshim pozitiv”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama theksoi se presin me padurim të çelin grupkapitullin e fundit përpara mbylljes së këtij viti, duke shtuar se ai e di që kjo është shumë ambicioze, por shtoi se është ajo çfarë duan të bëjnë.

Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Më së fundmi kjo është hera e parë për ne në histori që zgjedhim lirisht me kë duam të “martohemi”. Jemi martuar me detyrim me perandori të tjera në të shkuarën, kështu që, kjo është një perandori pjesë e së cilës duam të jemi, një perandori vlerash, të drejtash, një perandori sigurie e sigurimi, ku më së fundi qytetarët tanë do të sigurohen që të drejtat e liritë e tyre nuk do t’u merren nga askush që vjen më pas.

Ndërkaq, ministrja daneze e Çështjeve Evropiane, Marie Bjerre tha se konferenca e sotme është një hap domethënës për Shqipërinë dhe për BE-në. Ajo shtoi se zgjerimi është bërë një nevojë gjeopolitike dhe se duhet të ecin përpara me zgjerimin sipas saj “për një BE më të fortë dhe më të sigurt”. Ajo shtoi gjithashtu se zgjerimi është një përparësi kyçe për presidencën daneze të BE-së.

Teuta Buçi /SHENJA/

MARKETING