Fidan: Problemi më i madh në rajon është politika ekspansioniste e Izraelit

Fidan: Problemi më i madh në rajon është politika ekspansioniste e Izraelit

Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se problemi më i madh në rajon në rajon është politika ekspansioniste e Izraelit, si dhe ka theksuar se ka dy arsye pas kësaj politike

“Së pari, qëllimi i Izraelit për të zgjeruar territorin e tij për të krijuar Izraelin e Madh. Së dyti, përpjekja e tij për të dobësuar dhe copëtuar vendet rajonale, veçanërisht fqinjët e tij”, tha Fidan në një intervistë me Al Jazeera dhe Qatar TV.

Komentet e tij erdhën pas pjesëmarrjes në takimin e ministrave të jashtëm që synonte përcaktimin e agjendës për samitin e jashtëzakonshëm të përbashkët të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe Ligës Arabe.

“Siria, ndër të tjera, është një vend i tillë. Ne jemi në kontakt të ngushtë edhe me ato vende, Libanin, Egjiptin, Jordaninë dhe sigurisht Sirinë”, tha Fidan, duke shtuar se Türkiye po monitoron nga afër sulmet që shënjestrojnë Sirinë.

“Në thelb, plani rajonal i Izraelit filloi me pushtimin e tokave palestineze. Me kalimin e kohës, kjo çështje ka evoluar. Sot, nuk bëhet fjalë vetëm për pushtimin e tokave palestineze ose gjenocidin në Gaza, por edhe për ekspansionizmin e Izraelit që përbën një kërcënim të madh për vendet rajonale”, tha Fidan.

Fidan kërkoi nga bota që të përqendrohet në sulmet dhe pushtimet e fundit të Izraelit që synojnë vende të tjera arabe dhe islamike, duke përmendur si shembull, sulmin e fundit në Doha.

“Ne nuk po përballemi thjesht me një problem palestinez. Ne po përballemi edhe me ekspansionizmin izraelit. Pasi problemi të përcaktohet në këto terma, vendet arabe dhe islamike duhet të bashkohen për të zhvilluar zgjidhje që adresojnë këtë sfidë të sapo përcaktuar”, tha Fidan.

Duke theksuar se sulmet e Izraelit kundër Sirisë që nga epoka e Asadit, Fidan tha se edhe pse sulmet “janë ulur kohët e fundit”, ato ende janë duke vazhduar dhe Ankaraja i sheh zhvillimet e fundit në jug të Sirisë si “veçanërisht të rrezikshme”.

“Ne besojmë se provokimi i linjave të ndarjes sociale për të krijuar përçarje në Siri nuk do t’i sjellë dobi as Sirisë dhe as rajonit”, shtoi ai.

Fidani bëri thirrje që siguria rajonale të vendoset mbi “themele më të forta dhe më institucionale”, duke shtuar se asnjë vend nuk duhet të përbëjë kërcënim për sigurinë e një tjetri.

Duke bërë thirrje për sovranitet dhe siguri rajonale, Fidan kritikoi Izraelin për politikën e tij agresive, e cila është tërësisht e drejtuar kundër këtyre objektivave.

“Prandaj, vendet arabe, vendet islamike dhe komuniteti ndërkombëtar në tërësi do të diskutojnë jo vetëm identifikimin e këtij problemi, por edhe mobilizimin kundër tij. Problemi më i madh në rajon është ekspansionizmi izraelit”, theksoi ministri turk.

Lidhjet me ShBA-në

Duke theksuar se të gjitha vendet e Gjirit dhe Türkiye kanë “marrëdhënie të mira” me ShBA-në, Fidan kritikoi sistemin politik amerikan për shkak të politikës së tij ndaj Izraelit, i cili po tregon një “përjashtim të veçantë që mbizotëron mbi të gjitha lidhjet e tjera”.

“Kjo i ka kushtuar Amerikës ndikimin dhe pozicionin në rajon dhe ka krijuar vështirësi jo vetëm për miqtë e saj në rajon, por edhe për vetë ShBA-në”, tha ai.

Ai po ashtu tha se presidenti Recep Tayyip Erdoğan dhe Türkiye vazhdojnë të diskutojnë me homologët nga ShBA-ja krimet e Izraelit kundër njerëzimit, viktimat civile, kërcënimet e shkaktuara nga Izraeli në rajon për shkak të politikës së tij ekspansioniste dhe “shtyrjen e sistemit ndërkombëtar, të udhëhequr nga ShBA-ja, në prag të kolapsit”.

“Ne duhet të pranojmë kufizimet strukturore brenda sistemit politik amerikan që pengojnë veprimin vendimtar”, theksoi ai.

Türkiye vlerëson përpjekjet e ndërmjetësimit të Katarit

Më tej, ministri turk theksoi se Ankaraja vlerëson “thellësisht” rolin e Katarit si ndërmjetës dhe se e ka mbështetur atë që nga fillimi.

Gjatë kohës së tij si kreu i shërbimit të inteligjencës dhe ministër i jashtëm, tha Fidan, Ankaraja ka punuar “ngushtë” me Katarin dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Ai vlerësoi përpjekjet e Dohas për të arritur një armëpushim në Gaza.

“Ne i mbështesim fuqimisht këto iniciativa. Vëllezërit tanë egjiptianë gjithashtu luajnë një rol të rëndësishëm në këtë çështje. Katari vazhdon ndërmjetësimin e tij pavarësisht të gjitha rreziqeve dhe ajo që vlerësoj veçanërisht është se edhe pas këtij incidenti të fundit, Katari ka dhënë një sinjal të qartë për të vazhduar rolin e tij ndërmjetësues, jo me reagime emocionale, por duke pasur parasysh interesin e umetit dhe rajonit”, tha Fidan.

Duke shprehur ngushëllimet e tij “të sinqerta” për sulmin e Izraelit në Doha që synonte anëtarët e Hamasit dhe shkaktoi vdekjen e pesë prej tyre, Fidan shprehu solidaritetin e Ankarasë me Katarin.

“Turqia gjithmonë qëndron pranë popullit të Katarit. Ekziston një lidhje e patundur midis Turqisë dhe Katarit dhe ashtu siç kemi qëndruar pranë Katarit në të gjitha kohërat e tij të vështira, ne jemi përsëri pranë tij”, tha Fidan.

Duke përsëritur dënimin e sulmit nga Ankaraja, Fidan theksoi gatishmërinë e Ankarasë për të ndërmarrë çdo masë rajonale dhe globale të nevojshme, duke qëndruar fort pranë kombit të Katarit.

MARKETING